“25 vite mision në Shënkoll, rruga e kishës merr emrin ‘Nënë Carla Borgheri’”

25-vjetori i Motrave Misionare të Mishërimit në Shenkoll të Lezhës shënoi jo vetëm rrugëtimin e një misioni të suksesshëm, por shënjoi përgjithmonë kontributin e tyre ndaj komunitetit në këtë zonë pasi tashmë rruga e kishës do të mbajë emrin “Nënë Carla Borgheri”.

“Lutja është forcë dhe dritë në udhën tonë drejt bashkimit me Zotin”. Kjo thënie e Nënë Carla Borgherit, themelueses së Motrave Misionare të Mishërimit, u bë për 25 vite udhërrëfyes për misionin e tyre në Shënkoll të Lezhës.

Më 1 tetor 2000, motrat u vendosën në këtë zonë, në një shtëpi të vogël pranë kishës famullitare. Komuniteti i priti me krahë hapur, ndërsa hap pas hapi ato u integruan, duke sjellë fjalën e Zotit në çdo shtëpi dhe duke forcuar lidhjen e besimtarëve me kishën. Përmes shërbesës së tyre, ato u bënë pjesë e pandashme e jetës shpirtërore, sociale dhe edukative të Shënkollit.

Në shenjë mirënjohjeje, rruga pranë kishës famullitare do të mbajë tashmë emrin “Nënë Carla Borgheri”, duke përjetësuar kujtimin e themelueses së tyre dhe ndikimin që misioni i saj pati në këtë komunitet.

Aktiviteti u nderua me praninë e Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës, Ambasadorit të Indisë në Shqipëri, H.E. Ravindra Prasad Jaiswal, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Amrita Jaiswal, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal dhe banorë të shumtë.

Kremtimet nisën me meshën e shenjtë në kishën famullitare, vijuan me ceremoninë e emërtimit të rrugës dhe një prezantim me video që pasqyroi 25 vitet e pranishme të Motrave Misionare në Shënkoll ku dëshmohej përfshirja e fëmijëve e të rinjve në aktivitete edukative, kulturore dhe shpirtërore, që dëshmojnë rolin e motrave si pikë referimi për të gjitha grupmoshat.

Me këtë akt nderimi, Shënkolli nuk festoi vetëm një përvjetor, por dëshmoi edhe njëherë se misioni i Nënë Carla Borgherit vazhdon të mbetet gjallë, duke udhëhequr me dinjitet rrugën e besimit dhe shërbesës ndaj njerëzve.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!