Në një kohë kur shëndetësia shqiptare përballet shpesh me sfida të mungesës së mjekëve specialistë dhe nevojës për përditësim profesional, ka histori që thyejnë këtë narrativë. Një prej tyre është ajo e Dr. Jurgen Kinkës, mjek neurokirurg, i cili në heshtje, me profesionalizëm dhe përkushtim, po sjell një standard të ri në Spitalin Rajonal të Shkodrës – një institucion që deri dje nuk ofronte ndërhyrje neurokirurgjikale të këtij niveli.
I diplomuar në Universitetin e Tiranës dhe i specializuar në Neurokirurgji, Dr. Kinka nuk është një emër i panjohur në rrethet mjekësore. Ai mbart me vete një portofol trajnimesh të vyera në vende si Gjermania, Italia dhe Qipro, përvojë që tashmë po e zbret në praktikën e përditshme pranë qytetarëve të Shkodrës dhe gjithë veriut të vendit.
Por historia nuk ndalet këtu. Gjatë vitit të fundit, nën drejtimin e tij janë realizuar ndërhyrje neurokirurgjikale të nivelit të lartë, që më parë kryheshin vetëm në Tiranë. Rastet e hernieve diskale hiperalgjike me rezultate të menjëhershme apo së fundmi dekompresioni miniinvaziv për stenozë të rëndë të kanalit spinal lumbar, e kthejnë këtë mjek në një prej figurave që shënojnë një pikë kthese në shërbimet spitalore në rajon.
Vlerësimet publike nuk kanë munguar.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka theksuar se shërbimi i neurokirurgjisë i ofruar nga Dr. Kinka ka sjellë një trajtim të specializuar për veriun e Shqipërisë, një hap i madh përpara për qytetarët që dikur udhëtonin drejt Tiranës për çdo komplikacion nervor.
Edhe Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, ka vlerësuar me nota të larta ndërhyrjet e realizuara nga ekipi në Spitalin Rajonal Shkodër, veçanërisht atë të datës 30 prill, duke përmendur me emër Dr. Kinkën për profesionalizmin dhe rolin e tij në rritjen e kapaciteteve mjekësore të spitalit.
Por përtej titujve zyrtarë dhe duartrokitjeve institucionale, qëndron një realitet i thjeshtë dhe i fuqishëm: Një qytet si Shkodra, i pasur në histori, kulturë e dinjitet por ne te kaluar edhe me emra legjende te mjekesise shqiptare, po gjen serish pasues te denje qe ngrejne lart emrin e mjekesise shkodrane dhe shqiptare.
Ky realitet nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me profesionistë të qetë që punojnë fort, si Dr. Jurgen Kinka. E nëse ka një lajm të mirë për këtë qytet, ai është ky: ndërhyrjet e specializuara nuk janë më privilegj i kryeqytetit. Shëndetësia cilësore po vjen më afër, me njerëz që nuk bëjnë zhurmë, por bëjnë ndryshim.