Kryebashkiaku Shkreli reagon pas emisionit “Vetting”: “Akuzat janë jashtë mandatit tim, mos dezinformoni opinionin publik”

Pas transmetimit të emisionit investigativ **“Vetting”** më 5 qershor 2025, ku u përmendën disa procedura të dyshimta prokurimi të zhvilluara në Bashkinë Vau i Dejës, ka ardhur një reagim i menjëhershëm nga kryetari aktual i bashkisë, **Kristian Shkreli**.

Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjete sociale, Shkreli i cilëson akuzat dhe aludimet e bëra ndaj tij si **të pavërteta, jashtë kontekstit dhe keqinterpretime të qëllimshme**, që synojnë të krijojnë një perceptim të padrejtë ndaj tij dhe institucionit që drejton.

> **“Nuk kam pasur asnjë lidhje me procedurat e përmendura të prokurimit të zhvilluara para Qershorit 2023”**, – thekson ai, duke nënvizuar se është **zgjedhur kryebashkiak më 14 maj 2023** dhe ka marrë zyrtarisht detyrën në **qershor 2023**, kohë kur të gjitha tenderët e përmendur tashmë **ishin zhvilluar**.

Sipas tij, tenderët e cilësuar me “flamur të kuq” janë pjesë e një periudhe që nuk përfshin vendimmarrjen e tij dhe janë tashmë objekt i institucioneve ligjzbatuese për kontroll e verifikim.

> **“Është e pavërtetë dhe tendencioze të më faturohen përgjegjësi mbi vendime që nuk i kam marrë unë!”**, shkruan Shkreli, duke bërë thirrje për **integritet profesional** nga autorët e emisionit dhe për të shmangur publikimin e **dezinformatave pa bazë**.

Ai mbyll reagimin me një ton kritik, por gjithashtu reflektues:

**“Nëse qëllimi është vërtet gazetaria e pavarur dhe jo goditje selektive, atëherë transparenca është rruga e vetme për ta provuar. E në një ditë festive si kjo më mbet veçse të them ‘Fali zot se nuk dinë çfarë bëjnë!’”

Ky reagim vjen në një moment kur rritet presioni publik mbi mënyrën e menaxhimit të fondeve publike në nivel vendor, ndërsa Bashkia Vau i Dejës dhe kryetari Shkreli shprehen të gatshëm për bashkëpunim me institucionet përkatëse, por kundërshtojnë përfshirjen në akte për të cilat, sipas tij, nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore apo morale.

Lajme te tjera