NDERIM DHE RESPEKT MJEKËVE TË SHKODRES QË SHËRBYEN GJATË KOHËS SË DIKTATURËS
Shpesh harrojmë humanizmin dhe kujdesin shëndetësor që mjekët shkodranë na dhanë në kohët më të vështira të jetës tonë. Ato punuan me ndergjegje shumë të lartë, me humanizëm dhe respekt njerëzor. Kushedi sa qytetarë ja dedikojnë jeten e tyre apo njerëzve të tyre shumë mjekëve shkodrane.Numri i mjekëve dhe infermierëve që shërbyen në institucionet shëndetësore të rrethit të Shkodrës është shumë i madh, i relatuar edhe tek libri i Smajl Balës, kështu që përmendja e vetëm disa emrave nuk ezauron gjithçka. Ju lutem jo vetëm të sillni edhe emra të tjera por edhe raste që ju kanë ndodhur me mjekët e Shkodres ku ju i dedikoni jeten tuaj apo të afërmëve tuaj.
Për popullin e Shkodrës do mbeten të paharrruar mjekët e Spitalit Civil të Shkodrës ku shërbyen shumë mjekë, me profesionalizëm, humanizëm dhe përkushtim, si: B. Qadhimi, P. Prela, S. Mborja, F. Shiroka, P. Dode, T. Suma, S. Ashta, A. Spahija, Z. Kraja. F. Hoti, M. Mirashi, Sh. Kadra, S. Fistani, Z. Kraja, A. Neziri, H. Vneshta, R. Hafizi, A. Agolli, Z.Uruçi, K. Halluni, S. Shazi A. Sheldija, S.Zaimaj, etj.
Në Sanatorimin e Shkodrës shërbyen Hasan Shehu, Dhimitër Lito, Baftiar Xhindi, Skender Rrjolli, L. Dibra etj.
Në spitalin psikiatrik: Sandër Ashta, Ismet Leka, Valdet Hoxha, Dhurata Uruçi, Agron Ramadani, etj
Në shërbimin okulistik A.Neziri, H.Llazani, A. Bushati, A.Luli, A.Beci, etj.
Në spitalin infektiv dhanë kontribut Muhamet Bala, Qemal Kadia, Zhani Doçi, kurse në pediatrinë infektive Vera Shoshi dhe Semiha Kallogjeri (Zaja).

Në shërbimin otoringolaringologjik u dalluan S. Fistani, Z. Uruçi, K. Halluni , etj
Në maternitet dhanë kontribut profesional dhe humanitar mjekët Qemal Xhango, Agetina Prendushi, Nard Kçira, Shejnaze Koçkiçi etj., mamijet Çile Ljarja, etj.
Veçanarisht u dalluan mjekët e spitalit pediatrik që shpëtuan jeten e kushedi sa fëmijëve, si Tahsim Karagjozi, Pandi Tode, Ndoc Pema, Hana Dino, Kel Naraçi, Xhavit Gjylbegu, Sadete Faslia, Pranvera Mlloja, Rita Miloti, Anunciata Bushati, Kadri Çulaj, Danuta Jukniu, Ehat Troshani, Greta Naraçi, Ariana Bekteshi, Elizabeta Sadiku, Kydret Çoba, Kici Kadia, Merita Doreza, etj.
Në respekt të këtyre mjekëve unë dua të kujtoj me nderim dr. Kel Naraçin, sepse humanizmin e tij e lidhi me shpëtimin e jetës të vajzës sime. Dhe vazhdimisht e kam shprehur: Vajzen ma shpëtoi Zoti dhe dr. Naraçi. Ajo ishte vetëm një vjeç ku sëmundjet viroze të stinës së verës i kishin shkaktuar heqje barku dhe shumë të vjella sa vajza ishte shtrire për të mos u ngritur për një farë kohe. Në këtë moshë dhe në kohe stine të nxehtë këto viroza i rrezikonin jeten e shumë fëmijëve. Thirrëm dok. Naraçin. Ai e paraqiteti gjendjen e saj mjaft të rëndë por jo pa shpresë. Si sot më kujtohet kur më tha: Puna e parë është t i largojmë të vjellat pastaj do merremi me heqjen e barkut. Në një shirit letre të gjatë ai shkroi krejt proçeduren se si do filloj mënyren e ushqimit, bashkë me sasi të limituara të ilaçit dhe lugë pas luge sipas një orari mirë të përcaktuar.Vajza filloi shumë shpejt ta marrë vehten dhe mbasi ju ndalen të vjellat dhe filloi shërimi për heqjen e barkut, ajo u shërua. Sot ajo është pedagoge në Universitetin e Shkodrës dhe ka titullin shkencor profesore. Unë do vazhdoja të vizitoja fëmijët e mij me një besim shumë të madhe tek dok. Naraçi. Nuk do ta harroj kurrë këtë mjek: i kulturuar, i kujdeshëm, shumë profesionist. Ai të impononte respekt kur e shihje me bluzen e bardhë që gjithmonë shëndriste, të hekurosur dhe kur nën këtë bluzë një veshje serioze me kostum e krevate që të tërhiqte vëmendjen që në shikimin e parë. Respektin, si familjar i devotshëm ja shtonte edhe edukimi shembullor i 11 fëmijëve që nderuan jo vetëm familjen por edhe Shkodren. Kur kujtoj dr. Naraçin, them se “Kanga e mjekut” e kompozuar nga Agim Prodani dhe kënduar nga Anita Take, sikur është kompozuar apostafat për dok. Naraçin:
Me bluzen e bardhë afrohesh ngadalë
Pranë djalit që shplodhet në gjumë
Ti sjell rreze drite kur hyn në spital
Sjell jeten që sjell si një lumë
I qeshur, i dashur i ëmbël ti flet
Pamposhtur qëndron në shtërngatë
Për t ardhmen e ndritur ku jeta thërret
Ti lodhje s ndjen ditë as natë
Ato veti i kishte taman dr. Naraçi. Po kush ishte dr. Kel Naraçi? Mjek pediatër, higjenist, epidemiolog. Lindi në Shkodër(1916-1981). Mbasi kryen studimet e larta në mjekësi në Torino, fillon punën si mjek i Bashkisë së qytetit më 1942. Në vitet 1944-1958, punon drejtor i Qëndrës Sanitare në Shkodër. Në vitin 1948 është hartues i ligjit të inspektoriatit sanitar dhe inisiator i hapjes së laboratorit bakteriologjik. Si drejtor i Shërbimit Shëndetësor në vitet 1958-63, jep ndihmesë në hapjen e shumë institucioneve mjekësore në Shkodër. Studius i përhershëm i sëmundjeve ngjitëse, të përhapura shumë në atë kohë, staticien i njohur për studimet e tij demografike, mjek pediatër me një bagazh të madh intelektual dhe shkencor në fushën e mjekësisë, dha një kontribut në problemet e vdekshmërisë foshnjore që në fillim të viteve 40, duke u cilësuar si studiuesi më i mirë i këtij fenomeni. Ka një veprimtari botuese për shumë probleme që shqetësonin mjekësinë veçanarisht për vdekshmërinë foshnjore, me afro 17 punime të botuara dhe afro 25 të pabotuara, (në dorëshkrim) si dhe shumë referime shkencore, raporte dhe relacione, nga të cilat: “Problemet tona shëndetësore, (“Ylli i Dritës”, 1944),“Këshilla nënave shqiptare”, (broshurë, 1946), “Epidemiologjia e gastroenteriteve në rrethin e Shkodrës”, (1964), bashkautor në “30 vjet shërbim sanitaro-epidemik në rrethin e Shkodrës”, referuar më 1974, në Shkodër, “Branchopneumonitë nga enteriobakteriet në fëmijë”, referuar në sesion shkencor 1973, etj. Më 2004 Këshilli Bashkiak i ka dhënë titullin “Mirënjohja e qytetit”, dhe më 2012, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, titullin “Mjeshtër i madh”
Mirënjohjen time por besoj edhe të shumë qytetarëve shkodranë, për të gjithë mjekët që na shërbyen me aq devotshmëri, humanizëm dhe ndershmëri në ato vite të vështira, por duke u ndalur tek mjeku i nderuar dr. Kel Naraçi, po e shprehi po me tekstin e këngës së mjekut:
………..
Për zemren dhe ndjenjat fisnike
Për duart e arta që ke
Me mirënjohje ty të këndojmë
Për ty këndojmë ne
……………………………………………………………………..
NGA ZENEPE DIBRA