Në 10 vitet e fundit, Velipoja, një nga destinacionet më të qeta dhe të aksesueshme për pushuesit, është përballur me një fenomen shqetësues: shndërrimin e hapesirave në vendparkim të improvizuar, ku qytetarët detyrohen të paguajnë për të parkuar edhe nën hijen e pishave apo në rërë, shpesh në mënyrë të paligjshme.
Banorë dhe pushues të shumtë kanë ngritur zërin përmes ankesave ne nje postim te Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të vendosur një herë e mirë rregull në këtë situatë që po kthehet në një problem serioz çdo verë.

Parkim në çdo cep por pa ligj, pa rregull dhe pa kupon tatimor
Sipas qytetarëve, një pjesë e konsiderueshme e pishave që ndodhen pranë vijës bregdetare janë zaptuar dhe shndërruar në parkingje private, ku individë të ndryshëm që pretendojnë se janë pronarë kërkojnë para për të lejuar mjetet të parkojne. Në shumë raste, këto persona nuk ofrojnë asnjë lloj dokumenti apo kupon tatimor, dhe aktiviteti i tyre zhvillohet tërësisht në të zezë.

Kjo ka ngritur dyshime serioze mbi ligjshmërinë e pronësisë në këto zona, veçanërisht kur bëhet fjalë për territore me pisha apo rërë, të cilat zakonisht konsiderohen pasuri publike ose zonë e mbrojtur natyrore. Edhe nëse ekziston ndonjë e drejtë pronësie, askush nuk ka të drejtë të zhvillojë aktivitet ekonomik pa licencim dhe pa përmbushur detyrimet fiskale.
Qytetarët kërkojnë ndihmën e Bashkisë: Të vendoset rregull
Pushuesit dhe qytetarët vendas po i drejtohen kryebashkiakut Benet Beci, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për të ndalur këtë kaos dhe për të rivendosur funksionimin normal të Velipojes gjatë sezonit turistik. Ata besojnë se vetëm një ndërhyrje serioze nga autoritetet lokale mund të sjellë një ndryshim të vërtetë, duke kontrolluar parkimet, vendosur tabela orientuese, struktura zyrtare pagesash dhe duke çliruar hapësirat e përbashkëta nga zaptimet abuzive.

Një mundësi për t’u kthyer në shembull pozitiv
Kjo situatë paraqet një sfidë, por edhe një mundësi të madhe për administratën lokale: të tregojë vullnet për të vendosur rend dhe për të ofruar një përvojë më të mirë për mijëra turistë që zgjedhin Velipojën çdo vit. Me një qasje të organizuar, transparente dhe ligjore, Velipoja mund të kthehet në një model për menaxhimin e turizmit veror dhe hapësirave publike.

Qytetarët presin që z. Beci, të marrë në dorë këtë çështje dhe të vendosë standarde të reja për menaxhimin e territorit dhe shërbimeve publike në Velipojë.
Kjo problematike eshte trajtuar disa here edhe ne te kaluaren nga media lokale por nuk ka gjetur zgjidhje.
Pushimi nuk duhet të nisë me stres për një vend parkimi dhe as me debate me “pronarë” të improvizuar të pishave. Është koha që Velipoja të marrë frymë lirshëm pa zaptime, pa pagesa në të zezë dhe me respekt për ligjin dhe natyrën.
