Në një botë që ndryshon me ritme marramendëse, ku traditat e ruajtura prej qindra vitesh, rrezikojnë të treten në zhurmën e kohës, Shqipëria ruan ende gjallë një nga pasuritë e saj më të rralla: “Kanga e Maja Krahut”. Një këngë që nuk është thjesht melodi, por një rrëfim i gjallë i shpirtit të malësorit, i dhembjes, krenarisë dhe identitetit.
Së fundmi, kjo këngë e lashtë dhe monumentale ka tërhequr vëmendjen e mediave italiane, të cilat kanë zbarkuar në Dukagjin për të realizuar një dokumentar kushtuar jo vetëm saj, por edhe dokëve dhe zakoneve të trevës. Delegacionin e gazetareve italian, e ka shoqeruar ne Dukagjin, deputetja e ardhshme e Parlamentit te Shqipërisë, Marjana Koçeku, e cila thekson se: “Kanga e Maja Krahut duhet të mbrohet nga UNESCO.”
Në një postim, Koçeku shprehet :
“Uroj që një ditë kjo këngë të jetë e mbrojtur nga UNESCO, sepse mbart vlera të jashtëzakonshme kulturore dhe historike për trevat tona.”
Një kërkesë që nuk është vetëm simbolike, por një domosdoshmëri për të ruajtur një pasuri që flet me zërin e brezave dhe që meriton të njihet si trashëgimi e njerëzimit.

Duke shoqëruar ekipin italian në terren, Koçeku përçoi gjithashtu një mesazh mirënjohjeje për artistët që e kanë mbajtur këtë traditë gjallë, si Gjon Kosteri dhe Gegë Fusha por edhe për komunitetin që e përcjell këtë art gojor me përkushtim dhe dinjitet.
Kërkesa për ta përfshirë “Kangën e Maja Krahut” në listën e trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga UNESCO nuk është vetëm një dëshirë individuale. Është një thirrje e te gjithe malesoreve për vetëdije kombëtare. Është një apel për të mbrojtur atë që nuk është e shkruar, por që jeton në zërat që këndojnë dhe në zemrat që kujtojnë.
Nëse UNESCO është një shtëpi për trashëgiminë shpirtërore të njerëzimit, atëherë “Kanga e Maja Krahut” e ka vendin aty — si dëshmi e gjallë e rezistencës kulturore, e bukurisë së fjalës dhe fuqisë së kujtesës kolektive.