Kanë kaluar plot 8 vite nga dita kur u shemb edhe guri i fundit i Kullës së Prek Calit, simbol i qëndresës, nderit dhe burrërisë së Malësisë së Madhe.
Në shtator të vitit 2017, së bashku me banorët e Kelmendit, protestuam për të ndalur atë që ishte një akt i rëndë fyerjeje ndaj kujtesës historike kombëtare.
Shembja e kullës së një heroi nuk është thjesht rrënim fizik, por është rrënim i dinjitetit dhe krenarisë sonë si komb.
Pretendimi absurd se “nuk kishte leje ndërtimi” ishte një justifikim i turpshëm për të zhdukur një monument të shpirtit kombëtar, ndërkohë që ndërtimi i saj ishte fryt i përkushtimit të diasporës shqiptare në SHBA, e cila dha nga zemra për të ruajtur trashëgiminë e një burri që nuk u përkul kurrë.
Tetë vite më pas, gurët e asaj kulle qëndrojnë ende të shpërndarë, të harruar, në heshtje, në fushë.
Asnjë projekt, asnjë përpjekje, asnjë vullnet politik për ta ringritur.
As bashkia, as ministria, asnjë nivel pushteti vendor apo qendror, nuk e ka kujtuar më Kullën e Prek Calit.
Kjo është një harresë e qëllimshme. Një heshtje që flet shumë. Një turp që nuk e lan as koha, as harresa.
Rindërtimi i Kullës së Prek Calit nuk është thjesht detyrim moral, është një borxh historik ndaj një figure që dha gjithçka për vendin, për lirinë, për Malësinë.
Prek Cali është ende zëri që mund të zgjojë ndërgjegjen e një kombi të përgjumur.
Deri ditën kur Kulla e tij të ngrihet sërish, ne nuk mund të kremtojmë lavdinë e së kaluarës, as të mburremi me historinë tonë.
Kulla e Prek Calit është një amanet i pambyllur, është një plagë e hapur në ndërgjegjen e çdo malsori dhe çdo shqiptari me ndjenja kombëtare.
Kullës së tij i kemi borxh të gjithë, çdo malsor, çdo shqiptar, derisa ajo të ngrihet sërish, nuk mund të krenohemi me të kaluarën tonë dhe me heroin që i dha lavdi Malësisë së Madhe dhe historisë shqiptare.
Koha të flisni, të kërkoni drejtësi, të kërkoni llogari për këtë kujtesë të dhunuar.
Mos e harroni kurrë “Kullës së tij i kemi borxh të gjithë!”