“Shikoje videon e ngjarjes se Martinit si prind… dhe pastaj pyet veten: a je duke bërë mjaftueshëm?” Nga Mentor Kikia

🔴 “Ka video që nuk duhen harruar, por duhet t’i shohim – për të mos heshtur më!”
Gazetari Mentor Kikia ka ndarë një reagim të fortë emocional pas publikimit të videos së vrasjes së Martin Canit. Mes polemikave për etikën dhe ligjshmërinë e publikimit, Kikia bën një thirrje që prek thellë:
“Unë mendoj se ajo video duhet të shikohet nga çdo prind!”
Jo për të tronditur, por për të zgjuar ndërgjegjen, për të kuptuar se çdo fëmijë i dhunuar nuk është vetëm i familjes së tij, por është fëmija jonë.
Një mesazh që shkon përtej lajmit – është një apel për drejtësi, edukim dhe përgjegjësi kolektive. Një kujtesë që heshtja vret më shumë se një video.

Ai shkruan:

Ja pse unë mendoj që kjo video duhet të shikohet nga çdo prind!
Edhe unë e shikova videon e vrasjes së Martin Canit. Disa herë madje. I tmerruar, por e pash sërish. Publikimi i videos shkaktoi debate mbi përmbatjen saj, shkeljen e etikës dhe shkeljen e sekretit hetimor. Mund të jenë të drejta të gjitha. Por unë mendoj se media bëri mirë që e publikoi dhe shpërndau. Familjen e Martinit, nuk mund ta vrasë asgjë tjetër më shumë sesa thika që u mori dritën e syve. Ndërsa ne të tjerët duhet të kuptojmë e kujtojmë se çdo fëmijë i dhunuar dhe vrarë, nuk është fëmija i atij dhe asaj që e ka lindur, por është fëmija jonë. Eshtë i imi, i joti, atij dhe asaj që nuk kanë asnjë lidhje me të. Dhe, askush prej nesh nuk duhet të ndjehet i qetë në shpirt, derisa, së paku, për këtë ngjarje të bëhet drejtësi. Derisa të marrin atë që parashikon ligji, jo vetëm ai apo ata(këtu qëndron misteri) që mbanin thikën në dorë, por çdo kush, sipas rolit që ka patur në atë krim të përbindshëm.
Ja pse unë mendoj që ajo video nuk duhet harruar!
Para pak muajsh, më foli në rrugë një burrë. Nuk e njihja. Jam Pavllo Mihali- më tha. Babai i Marvit, djalit që vrarë…U drodha. Një burrë, ish-sportist i njohur, u prezantua si babai i djalit që i kishin vrarë, sepse ashtu mund ta njihnin më mirë…
-Doja të të falenderoja, më tha.
-Mua? Për çfarë?
“Në netët e tmerrshme kur unë dhe ime shoqe mbyllin derën dhe qanim të dy nën batanijë, se mos na dëgjonin fqinjët, i vetmi ngushëllim ishte të lexonim shkrimet dhe mesazhet e njerëzve që na mbështesin, dhe ti ishe njëri ndër ta.
Më ishte errur shikimi e arsyeja – vazhdoi Pavllo. Doja të largoja time shoqe nga Shqipëria e të hakmerresha. Jetën time s’e doja më. Por ndalova. Fillova betejën për drejtësi. Por ajo betejë ishte edhe më e vështirë se beteja për të frenuar instiktin e hakmarrjes. Sepse ata që duhet të bënin drejtësi, nisën të bëjnë pazare. E pash me dhjetra herë vidoen e vrasjes së tim biri. Shtrëngova dhëmbët, sepse doja të mësoja gjithëçka dhe çfarë kishte bërë gjithkush”.
Pavllo paditi për shkelje të ligjit një prokuror, dy gjykatës dhe një oficer të policisë gjyqësore, që ndryshuan akuzën dhe ndikuan në lirimin e 3 bashkëpunëtorëve në vrasjen e të birit. Ai ia doli ti rikthejë ata në burg. Ai luftoi për drejtësinë, derisa të katër autorët u dënuan me 55 vite burg.
As prindërit e Marvi Mihalit, as prindërti e Martin Canit dhe as të tjerë që Zoti i ka sprovuar në këtë mënyrë, nuk kanë nevojë për mëshirën tonë. Ata kanë nevojë për solidaritetin tonë, për të ndëshkuar këdo që ndikoi, ndihmoi dhe derdhi gjakun e atij fëmije.
Ndaj ajo video duhet parë e riparë nga të gjithë ne!
Për tu kujtuar atyre që duhet të bëjnë drejtësinë se çdo zemër prindi nuk do të jetë qetë pa e bërë drejtësinë deri në gërmën e fundit të Ligjit dhe se ne do të jemi këtu vigjilentë për këtë.
Por, edhe për të kuptuar të gjithë, se sa lehtë fëmijët tanë mund të bëhen viktima apo kriminelë. Të mësojmë prej saj se sa e rëndësishme është të punojmë me fëmijët tanë, për ti edukuar, duke mos i nxitur “që nëse të ngacmojmë, bjeri me grusht”, por ti mësojmë se arsyeja duhet të jetë më e fortë se grushti dhe thika.
P.S: Unë nuk e kam ndarë atë video, por ju ftoj të ndani këtë mesazh, që të mos kemi më video të tilla.

Lajme te tjera