Në qytetin e Shkodrës, një nga vatrat më të rëndësishme të trashëgimisë muzikore shqiptare, është ndezur një debat i fortë publik mbi drejtimin dhe përbërjen e Orkestrës Simfonike. Emërimi i artistes së njohur Elda Laro dhe me pas disa ndryshime ne rradhet e orkestres kane sjellë reagime të ndryshme, duke nxitur diskutime që shkojnë përtej muzikës.
Një prej kritikëve të fortë të këtij zhvillimi ka qenë mjeshtri Markelian Kapedani, i cili në një analizë të gjatë publikuar në rrjetet sociale, ka shprehur shqetësimin se “Orkestra e Shkodrës po kthehet në një institucion pa shkodranë”, duke sugjeruar se përdorimi i saj po bëhet gjithnjë e më shumë për qëllime propagandistike sesa artistike (https://shkodrasot.com/orkestra-e-shkodres-pa-shkodrane-markelian-kapedani-flet-troc-muzika-jo-propagande/) .
Elda Laro, në reagimin e saj publik, theksoi se muzika është gjuhë universale dhe se “Orkestra Frymore e Shkodrës nuk ka kufij – ajo është pasuri e shpirtit, jo e lokacionit. ( (https://www.facebook.com/photo.php?fbid=1043129307952847&set=pb.100067673627715.-2207520000&type=3)
Por diskutimit i eshte bashkuar edhe Eduard Marashi, një ndër figurat më të njohura shqiptare në botën e muzikës klasike evropiane, aktualisht violinist i parë në Orkestrën Simfonike të Castilla y León në Spanjë – një ndër orkestrat më prestigjioze në Evropë – reagoi në rrjetet sociale duke mbrojtur Laros dhe theksuar se ajo përfaqëson vlerë artistike ndërkombëtare.“Nuk mund ta sulmojmë Elda Laro, një artiste që e ka vlerësuar bota, as politikisht e as artistikisht. Ajo është Pavarotti femëror i Shqipërisë”, shkroi Marashi. Sipas tij, përqendrimi te origjina e përbërjes së Orkestrës është një qasje e gabuar dhe e rrezikshme për zhvillimin artistik të qytetit.

Në vijim të debatit mbi atë nëse “Orkestra e Shkodrës” është mjaftueshëm përfaqësuese e qytetit, Marashi u shpreh:
“Arti nuk ka kufij. Nëse do të kishte, atëherë asnjë artist shqiptar nuk do të mund të performonte jashtë Shqipërisë. Në vend që të merremi me prejardhjen, le të përqendrohemi në rritjen e cilësisë dhe nivelit artistik në Shkodër,” – theksoi ai.
Më tej, ai shtoi me keqardhje se “niveli artistik i një qyteti që dikur frymëzonte breza, sot shpesh përfundon në tavolinat e lokaleve.”


Eduard Marashi, që prej vitit 1999 është pjesë e Orkestrës Simfonike të Castilla y León dhe prej shumë vitesh është aktiv në orkestrën shtetërore të Spanjës. Ai u largua nga Shqipëria në fillim të viteve ’90 dhe sot renditet ndër emrat më të suksesshëm të artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

