Deputeti Gjin Gjoni: Presion dhe selektivitet në Shëngjin e Tale – Pushuesit po përballen me terror institucional!

Deputeti i Partisë Demokratike Gjin Gjoni ka ngritur alarmin mbi situatën shqetësuese përgjatë vijës bregdetare të Shëngjinit dhe Tales, ku sipas tij qytetarët dhe pushuesit po përballen çdo ditë me presion, selektivitet dhe terror institucional nga strukturat e Bashkisë dhe Policisë.

Në një deklaratë publike, Gjoni denoncon mënyrën se si po menaxhohet sezoni turistik në këto zona, duke e konsideruar atë të papranueshme dhe të padrejtë.

“Kjo nuk është mënyra për të menaxhuar sezonin turistik. Nuk mund të përdoret forca dhe selektiviteti për të ndarë ‘miqtë’ nga të tjerët në shfrytëzimin e plazhit publik,” – thekson Gjoni.

Ai thekson se pushuesit nuk janë thjesht konsumatorë, por qytetarë që meritojnë transparencë dhe respekt, ndërsa i bën thirrje Bashkisë së Lezhës të përmbushë detyrimet e saj ligjore:
1. Të afishojë çmimet në çdo hapësirë ku operon me çadra dhe shezlongë.
2. Të garantojë barazi dhe transparencë në dhënien e hapësirave për bizneset.
3. Të ndalojë çdo veprim të njëanshëm që cenon pronën publike dhe të drejtën e qytetarëve për të shijuar plazhin.

Sipas deputetit, Lezha nuk mund të kthehet në një teatër ku rregullat ndryshojnë sipas interesave të ngushta, ndërsa u bën thirrje institucioneve shtetërore që të respektojnë ligjin dhe të shërbejnë për qytetarët, jo për individët e privilegjuar.

Në përmbyllje, Gjoni apelon për një reagim të bashkuar të mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve, për të ndalur një model abuzimi që, sipas tij, rrezikon jo vetëm turizmin, por edhe besimin e njerëzve tek shteti.

Lajme te tjera