Vijon aksioni për çlirimin e hapësirave publike
Task Forca e ngritur nga Bashkia e Lezhës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka vijuar sot aksionin për lirimin e hapësirave publike në plazhe, duke sekuestruar dhjetëra pajisje të vendosura në mënyrë të paligjshme. Vetëm gjatë ditës së sotme, në zonën e Ranës së Hedhun janë bllokuar 50 çadra dhe 100 shezlongë, ndërsa në Shëngjin janë sekuestruar 5 çadra dhe 10 shezlongë, pasi ishin vendosur pa leje dhe kishin zënë hapësirat publike.
Çlirimi i hapësirave të përbashkëta në bregdet është kthyer në një sfidë të vazhdueshme për Bashkinë e Lezhës dhe Njësinë Administrative Shëngjin. Pavarësisht apelit të vazhdueshëm, kontakteve me bizneset dhe masave administrative të ndërmarra, disa individë kanë vijuar të injorojnë rregullat, duke zaptuar zonat publike me çadra dhe shezlongë pa lejet përkatëse.
Për të përballuar këtë situatë, është ngritur një Task Forcë që monitoron plazhet në mënyrë të përditshme, me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve. Në përputhje me VKM-në për menaxhimin e plazheve, çdo subjekt që vendos pajisje pa autorizim përballet me masa ndëshkuese, përfshirë edhe sekuestrimin e mjeteve.
Bashkia e Lezhës njofton se këto monitorime do të vijojnë pa ndërprerje gjatë gjithë sezonit turistik dhe nuk do të ketë asnjë tolerim për ata që shkelin ligjin. Çdo çadër apo shezlong që zë hapësirën publike në kundërshtim me rregullat do të sekuestrohet menjëherë, për të garantuar akses të lirë dhe të barabartë për të gjithë pushuesit. lezhapress