Shëngjin, pastrimi i plazhit me intensitet të lartë

Frekuentimi i plazhit të Shëngjinit është në nivelet më të larta në këtë periudhë, ndërsa bashkia e Lezhës ka rritur ndjeshëm vëmendjen ndaj pastërtisë dhe shërbimeve për pushuesit.

Administratori i Njësisë Administrative Shëngjin, Brahim Demi, deklaron se zgjerimi i zonës së plazhit, i cili tashmë shtrihet deri në skajet më të largëta, ka sjellë një angazhim më të madh për mirëmbajtjen e territorit.

“Monitorimi është i përditshëm dhe grupet e punës janë të pranishme në çdo segment të plazhit publik. Përveç punonjësve, kemi aktivizuar edhe mjete që pastrojnë rërën në mënyrë mekanike, duke hequr çdo mbetje,”, shprehet Demi.

Aktualisht, një fokus i veçantë i është kushtuar zonës së Kunës, që ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të pushuesve. “Synimi ynë është që çdo mëngjes, kur pushuesit rikthehen, ta gjejnë ambientin të pastër. Prandaj ndërhyrjet nuk janë vetëm në fund të ditës, por edhe në mëngjes, me pastrimin e imtësishëm të rërës”, vijon administratori.

Demi bën thirrje për më shumë kujdes nga vetë qytetarët: “Ne kërkojmë që të paktën pushuesit të grumbullojnë mbetjet e tyre e të mos i lënë të shpërndara, pasi kjo ndikon në perceptimin e përgjithshëm, pavarësisht se ato pastrohen çdo mbrëmje.”

Ai thekson se pastrimi aktual përfshin edhe sitjen e rërës, një proces që lejon largimin e çdo papastërtie, duke garantuar një standard të lartë higjiene në të gjitha hapësirat publike.

Në zonat e administruara nga subjektet private, inspektimet janë të vazhdueshme për të siguruar që kushtet të jenë të njëjta si në hapësirat publike.

Shëngjini mbetet një nga destinacionet më të preferuara në bregdetin shqiptar, ndaj mbajtja e tij i pastër dhe mikpritës kërkon një përpjekje të përbashkët mes institucioneve dhe qytetarëve.

Kliko KETU per te na kontaktuar: WHATSAPP

Lajme te tjera

error: Content is protected !!