Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në muajin shtator bota e arkitekturës në Shqipërisë do të pësojë transformime përmes inovacionit që vjen nga një start-upet e shqiptarëve.
Duke folur nga Berati me përfaqësues të botës së teknologjisë, inovacionit dhe start up, Rama tha se teknologjia e sotme do të ndryshojë mënyra sesi funksionon gjithë sektori dhe sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht.
Ai vuri në dukje se nisur nga zhvillimet e fundit në teknologji në Shqipëri mund të ndërtohet edhe muzeu i parë tërësisht me inteligjencën artificiale.
Ka qenë kënaqësi edhe për të njohur nga afër disa inovatorë, siç u bë një diskutim midis fjalës inovator
“…është po kaq e rëndësishme që në Tiranë, në shtator do të arrijmë t’i japim botës së arkitekturës bashkëkohore dhe botës në kuptimin e botës një inovacion që vjen nga një start-up shqiptarësh dhe që nëse është ashtu siç më duket mua nga sa pashë dhe siç tregon dhe interesimi i shumë e shumë arkitekteve për të marrë akses do të ndryshojë shumë mënyrën sesi funksionon gjithë sektori dhe mënyrën sesi funksionojnë gjithë studiot e arkitekturës botërisht.
Unë do të angazhohem personalisht, natyrisht edhe me strukturat përkatëse për të parë nëse mund të ndërtojmë në Shqipëri me këtë teknologji të re të propozuar nga start-upi në fjalë, muzeun e parë tërësisht me inteligjencën artificiale”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama tha më tej se do të hapet një kapitull të ri që të rinjtë e angazhuar në fushën e tekonologjisë të kenë “akses në gjithë strukturat e qeverisë për të pasur të mundur që të keni bazën e nevojshme të të gjitha të dhënave për të ndërtuar proceset që pastaj do të na sjellin modelet e Inteligjencës Artificiale që do të na shërbejnë ne për ti shërbyer publikut dhe do t’ju shërbejnë patjetër edhe juve në punën tuaj…”
Kreu i qeverisë theksoi më tej se Shqipëria duhet të pretendojë të krijojë dhe të promovojë produkte edhe përtej kufijve të vendit, “duke pasur parasysh se çfarë brumi është krijuar dhe çfarë talentesh kemi në dispozicion”.
Ai kërkoi prej të rinjve që kanë ngritur start-upet e tyre dhe që operojnë në fushën e teknologjisë që të japin kontributin e tyre dhe “të na ofrojnë draft programin e “AI Albania 2030”, ku do të jetë Shqipëria, Inteligjenca Artificiale në 2030-ën, për të na e prezantuar, për ta diskutuar, për ta miratuar dhe pastaj ne për ta marrë dhe për ta çuar në Parlament si pjesë të programit të qeverisë dhe për ta kthyer në një program pune të qeverisë në bashkëpunim me ju”.
Rama u shpreh gjithashtu se edhe ministrin e Shtetit për Inteligjencën Artificiale “do ta zgjedhim me pjesëmarrjen tuaj, nëse do arrini dot të krijoni një model të Inteligjencës Artificiale që të zgjedhë ministrin”
“...do të jetë hapi i parë drejtë momentit historik, kur Shqipëria do jetë e para që të ketë qeverinë të tërën me ministra dhe me kryeministër AI, aty pastaj do kalojmë në nivel tjetër, se do punojë AI edhe të gjithë ne të tjerët do bëjmë muhabet për politikën, pa pas mundësi që të marrim asnjë vendim”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se Shqipëria do të duhet t’i shndërrojë transaksionet financiare në digjitale.
“Për këtë na duhet sforco e madhe, na duhet goxha sensibilizim, teknologjia nuk mungon, ka nevojë për të tu “upskill”-ur, por nuk mungon dhe besoj që nëse do të dimë ta bëjmë si duhet vizatimin e rrugës që do të ecim, kjo është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, tha kryeministri Rama.