Milot-Balldre mbetet pezull: Anulohet për herë të tretë koncesioni, flet Rama: Duhet partner i besueshëm

Segmenti rrugor Milot-Balldre mbetet ende një premtim në pritje. Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se procedura e koncesionit është anuluar, me argumentin se vendi ka nevojë për konkurrencë reale dhe një partner të besueshëm.

Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjete sociale, Rama iu përgjigj një pyetjeje për fatin e këtij aksi strategjik.

“Ne i kemi të gjitha gati, por na duhet transparencë, na duhet konkurrencë dhe një partner i besueshëm. Për këtë arsye edhe procesi është anuluar, dy ose tre herë nëse nuk gaboj,” – tha ai.

Kreu i qeverisë shtoi se sapo të lidhet një kontratë e rregullt dhe e plotë, do të nisin punimet për ndërtimin e rrugës.


Përse u anulua procedura?

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka anuluar më 14 korrik procedurën e koncesionit me vlerë 364.7 milionë euro dhe kohëzgjatje 35-vjeçare, pasi asnjë nga ofertat nuk përmbushi kriteret e vendosura në garë.


Çfarë parashikon projekti?

Rruga Milot–Balldre është projektuar si një autostradë e kategorisë A, me standarde europiane:

  • Gjatësia: 17 km
  • Gjerësia: 3 korsi në secilën drejtim
  • Shpejtësia e lejuar: deri në 120 km/h
  • Rruga do të jetë plotësisht e mbyllur në të dy anët

Gjurma e saj nis në nyjen e Milotit, duke u lidhur me Rrugën e Kombit dhe me segmentin Milot–Thumanë–Kashar–Lekaj, për të përfunduar në Balldre, aty ku bashkohet me aksin ekzistues Tiranë–Shkodër.


Ky është anulimi i tretë i procesit për këtë vepër infrastrukturore, e cila prej vitesh qëndron në axhendën e projekteve strategjike, por pa një afat të qartë për nisjen e punimeve.

Kliko KETU per te na kontaktuar: WHATSAPP

Lajme te tjera

error: Content is protected !!