Nga një cep i Italisë së Veriut, drejt brigjeve të Adriatikut shqiptar. Gazetari italian Massimiliano Lanzani, i njohur për reportazhet e tij turistike, ka zgjedhur këtë verë të zbulojë Velipojën. Dhe ajo që gjeti, siç e përshkruan ai vetë, është shumë më tepër se një plazh: është një përvojë që të mbetet në zemër.
Në shënimet e tij, Lanzani e nis me një rekomandim të drejtpërdrejtë për bashkëqytetarët e tij nga Breshia: një hotel me 4 yje, “Brian Hotel”, me një det të mrekullueshëm, ku ushqimi është i shkëlqyer, çmimet të përballueshme dhe njerëzit jashtëzakonisht mikpritës.




“Ka një shef kuzhine, për të gjithë i njohur si Shefi Rili, me 23 vite përvojë në bregdetin toskan, që përgatit pjata me produkte vendase, peshk të freskët, mish, pasta dhe madje edhe picë të shkëlqyer. E gjitha shoqërohet me një gamë të gjerë koktejsh ndërkombëtarë që mund t’i shijosh pranë pishinës”, shkruan ai, teksa vlereson edhe gadishmerine e stafit dhe afrimitetin e pronarit, Gazmirit.




Por Lanzani nuk ndalet vetëm te ushqimi apo deti. Ai vë në pah edhe sigurinë: “Kam gjetur një popull të jashtëzakonshëm, kriminalitet zero, rrugë të sigurta. Tirana, kryeqyteti, është e hapur gjithë natën me lokale cilësore. Asnjë person i shtrirë në rrugë, asnjë zhurmë e tepruar. Disa kryetarë bashkish në Itali duhet të vijnë të shohin si mbahet një qytet i pastër dhe larg degradimit.”

Në një kohë kur destinacionet klasike të Mesdheut po vuajnë nga mbipopullimi dhe çmimet e larta, Velipoja shfaqet në reportazhin e Lanzanit si një alternativë e qetë, e pastër dhe e përballueshme. Një vend ku mikpritja shqiptare nuk është thjesht fjalë, por përvojë e gjallë.

Siç e mbyll vetë gazetari italian: “Këtu nuk gjeta vetëm detin dhe pushimet, por një mënyrë tjetër për të kuptuar se çfarë do të thotë turizëm i vërtetë. Fakte, jo fjalë.”
