Cilat jane “Familjet e Mira” te Shkodres – Nga Zenepe Dibra

FAMILJET E SHKODRËS

FAMILJET TE MIRA? Kush janë dhe përse quhen të tilla? Nuk i kam vlerësuar nga pasuria por personalisht për mua familje të mira janë ato familje që nuk janë dëgjuar kurrë për keq, që kanë dhënë kontribute për mbrojtjen e atdheut, që kanë patur besë, guxim, harmoni fetare që kanë bërë vepra bamirësije, që kanë hapur dyert e mikpritjes kujdo që i ka trokitur në derë pra të gjithë ato familje “që nuk vriteshin për gjak”. Në Shkodër të tilla kishte mjaft dhe ato ishin ndera e kombit, e qytetit e sot duhen kujtuar, promovuar në situaten ku ndodhet sot familja shqiptare. Sot bazat e familjes janë tronditur nga ana morale, funksionale dhe në atë të shpërbërjes. Familjet janë përçarë, janë shtuar konflikte për arsye të ndryshme , janë ndarë për efekt emigracioni,ka humbur bashkimi dhe harmonia. Prandaj le ti kujtojmë ato familje të cilat me shembullin e tyre i dhanë shoqërisë moralin e shëndoshte të bashkimit, harmonisë, ndershmërisë dhe besnikërisë ndaj vendit, shoqërisë dhe njeri tjetrit. Një shembull shumë të mirë dhanë në Shkodër përveç familjeve autoktone shkodrane dhe atyre të rrethinave apo të malësive edhe shumë familje të tjera të ardhura nga qytetet dhe vende të tjera shqiptare . Kështu në Shkodër shumë familje si:Bianki(Berati) Becejt(Ulqini), Borshi(Borshi), Gjyli(Ulqini), Dizdari(Ulqin)Pipa (Libohova), Paluca(Mirdita) , Bebeziqi(Podgorica), Alia (Podgorica)e me dhjera familje të tjera ulqinake, dibrane, kosovare, etj jo vetëm që u shkodranizuan duke jetur me vite në mes shkodranëve por ato punuan dhe kontribuan për këtë qytet në shumë raste më shumë se vetë shkodranët.Por duhet të dihet se shumë familjeve për shkak të luftës së klasave nuk ju njohen meritat, u denigruan, u persekutuan, internuan dhe shumë qytetarë ose i njohen sipas përkufizimit në fuqi”armiq të popullit”, ose duke i njohur nga frika, as i afruan, nuk moren pjesë në gëzimet e tyre por ajo që është më e keqja as në rastet e fatkeqësive apo akoma edhe më e rëndë as në mortet e tyre.E sot shoqëria shqiptare duhet ti njohin, ti dijnë kontributet e tyre, sakrificat, ndershmërinë, humanizmin dhe besnikërinë e tyre të pashoqe ndaj idealeve të lirisë dhe atdheut. Edhe pse nuk ishte faji i shoqerisë por nga skenat që ishin krijuar herë pas here, shmangja e qëndrimit apo mungesa e mbrojtjes kur ishte e mundur, mendoj që ato e meritojne nje falje nga shoqeria shqiptare.

BORSHI (Fisi)

Borshiotët janë një fis i shquar me origjinë nga Borshi i Himarës të cilat kanë banur në qytetin e Shkodrës dhe kanë dhënë shumë kontribute për këtë qytet. Nga kjo familje kanë dalë personalitete, si juristë, ushtarakë, mësues, inxhinierë dhe njerëz të tjerë intelektualë të ditur. I pari i tyre njihet Sulejman Gapi, i cili ka lindur dhe është rritur në Borsh të Sarandës në një familje që kishte toka dhe plantacione të mëdha me portokalle. Ai më vonë pasi merr arsimin ushtarak, shërben në ushtrinë e Perandorisë turke, si oficer kalorësije me gradën e majorit. Qëndrën e shërbimit e kishte në Kalanë e Podgoricës. Mori pjesë në luftë me malazezët nga mezi i shekullit XIX dhe është vrarë në vitin 1858 nga forcat serbo-malazeze në Luftën e Podgoricës. Mbiemrin Borshi e mori pas vdekjes nga pasardhësit e tij. Për trimëritë e tij rapsodët malësorë kanë thurur këngë të cilët edhe në ditët e sotme këndohen me lahutë. Një ndër pasardhësit e tjerë që ka nxjerrë kjo familje, është Nuri Borshi i cili pasi kreu shkollën e lartë të Drejtësisë në Stamboll, dhe pas emërimit në Podgoricë për 40 vjet punoi avokat në Shkodër. Nuriu kishte djemtë Qazimin, Shyqyrinë, Kadrinë, Sezaiun dhe Ali Borshi, (djal i adaptuar nga e shoqja në martesen e saj të parë i cili mori edhe mbiemrin e tij). Qazim Borshi , ishte diplomuar si inxhinier naval i anijeve transoqeanike, Shyqyri Borshi, ushtarak, aktor, dramaturg, përkthyes la dy djem, Qazim Borshin dhe Luan Borshin, të cilët megjithëse të luftuar dhe të persekutuar nga regjimi komunist, u arsimuan dhe u formuan si njerëz me karakter të fortë dhe shumë dinjitozë. Qazimi la tre djem: Spartakun, Arbenin dhe Florianin. Spartaku, i cili është njohur si artist dhe sportist i talentuar, vdiq aksidentalisht në moshë të re. Arbeni dha një kontribut të madh në lëvizjet demokratike në fillim të viteve 1990, dhe njihet si një nga nismëtarët e lëvizjes sindikaliste në Shqipëri mbas rënjes së diktaturës. Ndërsa Floriani, ish-basketbollist i shquar i Vllaznisë dhe tani biznesmen i sukseshmen në Shqipëri. Djali më i vogël i Shyqyri Borshit, Luani ka dy djem dhe një vajzë, gjithashtu të talentuar, Sokolin, Astritin dhe Auroren, që punojnë në Itali. Një tjetër djalë i Nuri Borshit ishte edhe Kadri Borshi agronom i shquar.

Sezai Borshi, ishte diplomuar në akademitë ushtarake në Itali. Në rininë e tij ishte sekretar i shoqnisë “Studentë Shkodra” (1924) dhe më pas shërbeu si oficer në Zerqan. Në periudhën e dytë të jetës ishte mësues dhe pati dy djem, Nuri Borshin (II), mësues matematike që vdiq i ri, aksidentalisht dhe Bujarin inxhinjer i talentuar. Ali Borshi (-1923), djali i adaptuar i Nuri Borshit, mbasi mbaron shkollën e mesme të ulët (Ruzhdijen) në Shkodër dhe pas asaj shkoi të vazhdojë studimet e larta në Stamboll, mbas së cilës kthehet në Shkodër ku u mor me ndreqje sahatesh. Ka marrë pjesë në shoqërinë “Vllaznija”, që ishte shoqëri kryesisht kulturale. Ishte administrator në shoqëri dhe drejtor i teatrit, aktor në pjesët teatrale patriotike “Shqipnia”, “Piro Neptolemi”, “Shko e lajmo Adrias Valber se Valona asht e shqiptarëve”, etj. Ishte ndër të parët dhe ndër kryesorët që ndihmuan në botimin e dramës “E trathuemja” e Vinçens Prendushit. Në vitin 1919 ishte llogaritari i shoqërisë “Vllaznija” Shkodër. Në vitin 1920 zgjidhet në kryeparinë e re të shoqërisë “Vllaznija” ku shërbeu si arkëtar. Djali i Alisë – Hajri Borshi (1913-) u diplomua në degën e Këmbësorisë pranë Akademisë Ushtarake të Modenës në Itali. Pas kësaj kreu dhe aplikacionin në Itali në vitet 1933-1935. Pas kësaj ai u kthye në Shqipëri dhe shërbeu në Ushtrinë Mbretërore të Monarkisë së Zogut dhe në forcat e xhandarmërisë; u vra nga komunistët në Berat në vitin 1943. Nipërit e mbesat e familjes së madhe të Borshiotëve të Shkodrës, të gjithë të rinj, shumica dërmuese me shkolla të larta dhe studentë të shquar në fusha të ndryshme të dijes, jetojnë e punojnë në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.

NURI BORSHI (1860-1935) Avokat. Rridhte ngë një familje borshiote shumë e pasur por e ardhur në Shkodër për shumë vite. Pasi kreu shkollën e lartë të Drejtësisë në Stamboll, u emërua në qytetin e Lezhës. Më pas, për 40 vjet me rradhë ai shërbeu si avokat në qytetin e Shkodrës. Ai u mundua që të hapte një shkollë nate për të rritur, rreth vitit 1910-12, por ajo u sabotua nga elementë fanatikë. Është një nga themeluesit e shoqërisë “Vllaznia”(shih). Ka qenë kryetar i Lidhjes Kombëtare në Shkodër, në vitin 1919-1920. Në vitin 1921 ai kandidoi për deputet ne Parlamentin e parë shqiptar. Ka qenë shumë i njohur për ndershmëri dhe aftësi në këtë detyrë, sa është vlerësuar jo vetëm nga populli por edhe shtypi i asaj kohe.

QAZIM BORSHI (?-1917) Inxhinier anijesh, kapiten anijeje. Lindi në Shkodër. U diplomua si inxhinjer naval i anijeve transoqeanike, ndër të rrallët e Perandorinë Turke dhe i vetmi, makinist avulloresh shqyptar. Pasi kishte shëtitur të gjithë botën me anije, në vitin 1912 ai u kthye në Shkodër dhe u arrestua nga autoritetet turke. Më pas me rënien e administratës turke, lirohet dhe punon në anijen “Buena” që shërbente në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin e Bunës. Më pas ai hyri në marinën tregtare, duke punuar në shoqërinë “Curani” që lundronte në bregun e Adriatikut e Bunës. Qazimi vdiq në mënyrë tragjike në vitin 1917 duke u mbytur në lumin e Bunës, në vëndin e quajtur Sukat, kur ishte duke ardhur prej Shëngjinit. Në atë kohë në qytetin e Shkodrës ndodheshin trupat austro-hungareze dhe Qazimi veproi sipas betimit që kishte bërë, duke respektuar kodin e detarit, megjithëse kishte të gjitha mundësitë të dilte në breg. Anija “Buena” që drejtohej prej tij, vonoi shumë për t’u mbytur, aq sa u lajmërua edhe i jati, avokat Nuri Borshi, i cili erdhi nga qyteti i Shkodrës. Qazimi i nxori të gjithë pasagjerët nga anija në breg dhe më pas kishte mundësi të dilte edhe vetë, por nderi dhe ligjet e detit e kërkonin që edhe ai të kishte të njëjtin fat me anijen që po mbytej. Pleqtë kujtojnë se si i lutej Qazimit i jati nga bregu, si edhe banorët e shumtë që ishin mbledhur të shihnin atë fatkeqësi dhe se si, ai i vendosur nuk pranoi të dilte, por humbi mes valëve të egra të lumit Buna bashkë me anijen. Deri vonë anija kishte mbetur aty, si një monument i një akti burrërie i kapitenit Qazim Borshi, i cili ka mbetur gjatë në kujtesën historike të Shkodrës, i pasqyruar edhe në shtypin e kohës.

SHYQYRI BORSHI (1895-1945)

Ushtarak, aktor, dramaturg, përkthyes. Lindi në Shkodër dhe u shkollua në Stamboll. Mbaroi kolegjin në Stamboll, në vitin 1913, dhe Shkollën e Trupave të Regjimentit të 10-të të Këmbësorisë, në Bari. Në Luftën e Parë Botërore, atë e mobilizuan në ushtri dhe deri në vitin 1918 ai shërbeu si oficer në ushtrinë italiane, ku u dekorua me medaljen e luftës. Gjatë viteve që ishte në Itali, themeloi një orkestër simfonike në Verona të cilën dhe e drejtonte. Në vitet 1920-24 ishte sekretar i Hoxha Kadrisë në Tiranë. Në vitin 1924, Sh.B. shërbeu si këshilltar ushtarak në Qeverinë e Nolit. Zotëronte gjuhët italisht, gjermanisht, turqisht, frëngjisht. U aktivizua në shoqëritë kulturore artistike të Shkodrës, si aktor e regjisor Mori pjesë në shumë shfaqje të njësive ma të vogla, që shkruenin asohere firma të njoftuna si Dr. Kristo Floqi, Kolë Gurakuqi, etj. U shque edhe si gastor i hollë, shumë i shkathët e i fuqishëm, në ndonjë pjesë, si qe ai i “Kopracit”. Gjatë viteve të pushtimit ishte Drejtor i përgjithshëm i policisë. Së bashku me 16 intelektualë te tjere ku bente pjese edhe Bahri Omari etj., u denuan me vdekje me 14.Prill 1945.

KADRI BORSHI (1900-1980) Agronom. Pasi kreu studimet e larta në Shën Mitër Corona u diplomua si agronom në Itali. Në v. 1920 ka qenë redaktor i revistës “Agimi”, organ i shoqërisë “Vllaznia”. Në vitin 1921, ai u emërua si pedagog në shkollën e parë bujqësore të Shqipërisë në Lushnjë, që hapi dyert më 1921. Në këtë shkollë në vitin 1921 u fut lënda e bletarisë, dhe K.B. botoi shumë artikuj në revistat e kohës për bletarinë. Është themeluesi i të parës revistë bujqësore “Bagëti e bujqësi”. Më vonë jep ndihmesen e tij në revisten “Bujqësia” (1928-1932), “Ekonomia kombëtare “(1937-1940) dhe “Bujqësia “(1940-1944). Është bërë i njohur për artikujt e shumtë që botoi për blegtorinë, vreshtat e në përgjithësi për mbarështrimin e bujqësisë. Ka qenë i njohur si specialist i verërave. Ka punuar në Shkodër, Lushnjë, Elbasan Korçë, etj. Në prill të vitit 1943, u mor me sistemimin e shqiptarëve të dëbuar nga Shkupi e Manastiri në tokat bujqësore të Korçës, Dibrës e Prishtinës. Kaloi persekutimin komunist për të cilin u burgos për disa vite

Bibliografi: Dashnor Kaloçi – ALBANIA ON LINE TV 100 vjet Shqipni; Ahmet Osja “ Specialistët e bujqësisë e të blegtorisë në Shkodër”, Seminari III Ndërkombëtar, “Shkodra në shekuj”, Shkodër, 1998, Hilë Lushaku : “Drejtorët e përgjithshëm të policisë shqiptare 1913-2013”, H. Bushati “Shkodra dhe motete”, 1998, 1999.Të dhëna nga familja

Ne foto NURI BORSHI, SEZAI BORSHI,QAZIM BORSHI, SHYQYRI BORSHI, KADRI BORSHI

Lajme te tjera

error: Content is protected !!