“Piaca, zemra e Shkodrës së dikurshme.Nga xhirot tek fejesat: nostalgjia jone” nga Zenepe Dibra

PIACA-NOSTALGJIKJA E VITEVE TONA


“Po dalin në piacë”, “Shihemi në piacë” , “Në piacë tek Kafja e Madhe”, “Në piacë tek Miletbahçja” etj dhe piaca ishte ba pika jonë e referimit për çdo gja për të dalë me shetitë, për tu pa me vajzen apo djalin që do u fejoshe, për t u takuar një mik, shok ,për të parë edhe veshjet që tingëllonin si sfilata mode sidomos për vajzat e gratë. Ne e dinim se piacë ishte fjalë italiane por ashtu kishte mbetur . Ma shqip e ma mirë do të ishte “shetitore” që e përdorin shumë kosovarët sepse mua edhe “ pedonale “ nuk më pëlqen hiç se edhe kjo është fjalë e huaj kështu edhe sot unë shpesh përdori fjalen piacë. Piaca jonë e dashur, një ambient social shumë i këndshëm, zbavitës, ku pa dallim feje muslimanë, katolikë, ortodoksë atje takoheshim, aty shifeshim por aty edhe njifshim shume prej djemve e vajzave që nuk i kishim njohur përpara. Në mbrëmjë piaca mbushesh plot me të rinj e të reja, me gra, burra por edhe të moshuar që donin “ të kullotnin sytë”. Në mes të rrugës së asfaltuar në dy rreshta njëri që shkonte e tjetri që vinte zhvillohej xhiroja e qindra shkodranëve kurse në dy trotuarët anash zakonisht gjiron e banin djemtë e rinj, të veshur me një sqimë kërshërie për të gjuajtur ndonjë vajzë që ndoshta do bëhej e ardhmja e tyre. Unë e kisha shtëpinë afër Teatrit Migjeni dhe ja kam ndie lezetin piaces por gjithmone e shoqeruar me kushërin apo çifte të fisit, me motren e burrin e motres e jo me shoqe. Por kishte edhe vajza të civilizuar që delnin me grup shoqesh.


Ne piace beheshin karnevalet para dhe mbas 1944, ne piace bente ushtrimet akrobatike Ali Xhixha, ne piace merreshin vesht ngjarjet ma te rendesishme te Shkodres, por edhe thashathemet nga aty dilnin. Aty ishin librarite, Kafja e Madhe, Kafe Moska, Miletbahçja, dyqane te shumta tregtie, xhmia dhe kisha, etej
Ngjarjet ma të bukura në piacë ishin xhirot mbremjeve, takimet e djemve dhe vajzave që do fejoheshin. Në pamundësi për tu takuar në kafe, në xhiro zakonisht dilte vajza me disa të afërm të saj e rekomanduar për tu fejuar dhe në xhiron e kundërt dilte djali me ma pak njerëz që e shoqëronin. Dhe ndodhte që me një të pame ose u prishte gjithçka ose përfundonte një fejese. Dikuj si pëlqente fytyra, dikuj kambët, dikej e qeshura dhe kështu merrte rrugë fati i një çifti për një takim tjetër me një vajzë apo djalë që do kishte pëlqimin e dyaanshëm. Por ka pasë raste ngatërresah që ka dalë për të parë një vajzë dhe asht ngatërrue duke parë një tjetër.


Me tregonte një shok. Kur desha të fejohesha me një vajzë që më rekomanduan dola për ta parë në piacë dhe më pëlqeu. Mbas xhiros u ndalëm për tu përshëndetut dy familjet . Unë në këtë rast i pashë edhe këmbët se mos i kishte të shtrembta por ishte në rregull. Në naten tjeter përsëri dolen në shetitje por vetëm me vajzen që u fejova. Midis tjerash e pyeta : Pse nuk i ke veshur ato këpucët e kuqe që kishe veshur mbramë . Ajo më tha që ato këpucë i kishte veshur motra . Kështu unë kisha parë fytyren e të fejuarës dhe këmbët e të motrës.


Kurse një mik tjeter po më tregonte. E kisha problem gjatësinë se mos vajza ishte ma e gjatë se unë dhe nuk kisha guxim ta ndalja. Kur e pashë një herë në rrugë me një shok klase kur u ndane ju vura shokut mbrapa për të krahasuar gjatësinë e tij me timen. Kështu ishte ajo kohë e viteve 1960-75 e më tej, që natyrisht filloj të civilizohej dhe kryesisht fejesat u bënin me rekomandim me miratimin e dy palëve por një njohje e përciptë, pa e njohur shumë në të folur, pa i njohur inteligjencen, pa një bisede intime. Nuk mund të rrije as edhe njëherë në kafe për të shtjelluar së paku disa veti të karaktereve tona. Sepse po dole në kafe , po shetite disa here në Shkodër fillonin thashathemet filanja po fejohet me filanin. Ruajna Zot po u fejove dhe u ndave për të dyten herë nuk mund të merrje djal beqar por vetëm që ishte martuar njëherë. Sidomos ne vajzat kishin pengesa në lirinë tonë për shumë gjana.

P.sh Nana më këshillonte të mos qeshja rrugës dhe mbaj mend njëherë që na kishte kap gazi gjatë rrugës me një shoqe dhe për mos me vazhdue u ndamë rrugës në dy drejtime . Mos me hanger rrugës dhe kur me një shoqe blemë një akullore e kemi hanger në një rrugicë. Pastaj nderi, nderi nderi me e ruajtë mos me e koritë familjen na u ba si i thojmë ne shkodranët “si burri nanës” që ruajna Zot mos me u shoqnue shumë me djem vetëm në shkollë, e etj etj. Personalisht jam fejuar me shkuesi por bashkëshortit i vinde randë të thonte që jemi fejuar me shkuesi dhe përdorte fjalën rekomandim. Vetëm një herë jam takuar me te kur isha studente dhe ai ishte drejtor i Uzines Telave dhe e vetmja fjalë që më ka thanë ka qenë : Mos kujto se kam me kene gjithmonë drejtor. Ai kujtonte se unë e kam marrë për drejtor që unë as në familje as në fis nuk kam pasë ndonjërë ndonjë drejtor dhe s më shkonte mendja tek drejtorlleku. Ja pra kështu jemi fejuar por di të them se shumë prej këtyr lidhjeve kanë qenë të sukseshme , sepse ishin të studiuara dhe të harmonizuara nga ana e familjeve. Por siç thotë teta Ollga në film: Ne dashurinë e kemi ba gjatë martesës.


Piaca ishte edhe nje lloj sfilate mode ku sidomos vajzat dhe gratë vishnin në xhiro rrobet ma të bukura për të ekspozuar trupin e tyre por edhe moden. Për hirë të vertetës gratë dhe vajzat katolike u visheshin shumë bukur, me përparësitë që u jepte liberalizimi i jetës tyre, duke u përpjekur të ndiqnnin aq sa kishin mundesi trendin e modës. Disa vajza të tjera “kapilica” përpiqeshin të vidhnin modelet e veshjeve , të flokëve dhe tualetin. Por në dy anët e trotuarëve mund të shihje djem të ri, të pashëm, të veshur shumë bukur me kostume të zes ose kishte edhe nga ato që visheshin sportiv. Në piacë njerëzit bënin edhe lloj konkursi pa zhuri që filan çift sonte e ndriti piacen, filan vajzë e shëndriti me bukurinë e saj, apo filan djalë do ta kishte dëshirë gjithkush ta kishte për krah.


Kjo ishte piaca e dikurshme, zemra e Shkodres, ambienti social ma i kendëshëm, vendi i harmonisë fetare, vendi i dashurisë , i mirëkuptimit, vendi ku nga nisesh krijimi i shumë familjeve shkodrane. Kaq ka qenë në fjalorin tonë e përdorur fjalla piacë sa kur e kanë pyetur një grua atëherë: Pse ke kaq shumë fëmijë? Po na nuk kena pase gëzim tjeter , njajo ka qene piaca e jonë”


Të dashur miq të mij shumë të respektuar! Sot i lashë analizat dhe ngjarjet historike duke shfaqur edhe nje pjesë të karakterit tim atë të humorit shkodran, nostalgjike për gjithçka çfarë kaluam, që asht në genin tonë qysh se lindim. Ju lutem pasuroni këtë nostalgji me tregimet tuaja të bukuara që i mbani mend dhe iqë dini t i tregoni aq bukur.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!