Sot, 20 vite “Juban Danja”. Historia që nisi në një fshat të Shkodrës dhe ndryshoi futbollin shqiptar

Më 6 shtator 2005, në një fshat të vogël pranë Shkodrës,ne Juban, u shkrua një kapitull i ri për sportin shqiptar. Ishte dita kur lindi Juban Danja, skuadra e parë zyrtare e futbollit për femra në Shqipëri. Në një kohë kur vetë ideja e vajzave që luanin futboll shihej me habi, dyshim, e shpesh edhe përçmim, disa vajza të guximshme bashkë me familjet e tyre vendosën të thyenin murin e paragjykimeve.

Nisma nisi nga Ferdinand Jaku, një mjek dhe pasionant i futbollit, i cili u bë jo thjesht themelues, por edhe frymëzues i një ëndrre të re. Ai ngriti një fushë të vogël në Juban dhe ftoi vajzat e lagjes që të merrnin topin e të luanin. Nga ajo ftesë lindi diçka që shumëkush nuk e kishte menduar se do të ndodhte ndonjëherë në Shqipëri: një klub i plotë, me emër, me uniformë, me strukturë dhe mbi të gjitha me një mesazh – futbolli nuk ka gjini.

Lizana, Emanuela dhe Paula Jaku, bashkë me dhjetëra vajza të tjera, u bënë pionieret që morën guximin të dalin në fushë dhe të sfidojnë një mentalitet të rrënjosur prej dekadash: se futbolli ishte vetëm “lojë burrash”.

Në vitet që pasuan, Juban Danja nuk ishte thjesht skuadër, por simbol. Në fshat, në Shkodër, në gjithë Shqipërinë, emri i saj përmendej si shembull i emancipimit dhe i guximit për të thënë: vajzat kanë të drejtë të ndjekin pasionin e tyre, edhe kur ky pasion quhet futboll.

Skuadra arriti edhe suksese sportive, duke fituar dy herë Kupën e Shqipërisë për femra dhe duke marrë pjesë në turne ndërkombëtare. Por ndoshta arritja më e madhe e saj nuk matet me trofe: ishte fakti që pas saj u hapën dhjetëra ekipe të tjera femërore në vend, duke ndërtuar një rrjet të ri ku vajzat tashmë nuk ndihen më të vetme.

Sot, 20 vjet më pas, Juban Danja kujtohet si guximi i parë që theu heshtjen, si nisma që i tregoi Shqipërisë se sporti nuk njeh paragjykime. Ekipi mbetet një simbol i barazisë gjinore dhe i fuqisë së sportit për të ndryshuar shoqërinë.

Megjithëse ekipi i parë i Juban Danjës sot nuk ekziston më, futbolli i femrave vijon me pasion dhe sukses përmes ekipeve zinxhir të të rejave. Falë këtij themeli, sot shumë vajza të rritura me fanellën e Juban Danjës luajnë për ekipe të mëdha si Vllaznia, që merr pjesë rregullisht në Champions League, por edhe për skuadra prestigjioze në Serinë A të Italisë.

Në krye të kësaj historie qëndron presidenti Ferdinand Jaku, i cili në fillim, për shkak të pasionit të tij për futbollin dhe nismës për të hapur rrugën e futbollit të femrave, u konsiderua si “i çmendur”. Por sot kjo “çmenduri” është kthyer në një nga historitë më të bukura të futbollit shqiptar.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!