Nëntë viktima në nëntë muaj, atentatet mafioze që tronditën Shkodrën këtë vit

Nëntë vrasje kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë këtij viti, teksa ngjarje të tilla ndikojnë në sigurinë në qytet.ShkodraSot sjell historikun e ketyre ngjarjeve:

Dy persona u vranë dhe dy të tjerë u plagosën nga një atentat mafioz që ndodhi këtë mëngjes në qendër të qytetit veriperëndimor. Viktimë mbeti Armando Pali, ish-këshilltar bashkiak pranë Bashkisë së Shkodrës dhe ish-punonjës i IMT-së, si dhe i riu Liridon Kraja, shoqërues i Erogen Vasos. Dyshohet se shënjestra e atentatit ka qenë ky i fundit, i cili ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital. Plumbat kanë kapur edhe kamerieren e lokalit.

Të mërkurën e kaluar, më 8 shtator, në zemër të qytetit, u eliminua 34-vjeçari Kristian Kola. Dy autorët, të cilët lëviznin me motor, derdhën në drejtim të të riut 8 plumba nga një armë gjysmë-silenciator, duke e lënë të vdekur në vend. Nga rindërtimi i skenës së vrasjes kuptohet se qitësi ka qenë profesionist, duke mos gabuar shënjestrën, dhe lëvizjet e tyre tregojnë për një studim të objektivit. Ndërkohë sot, në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live”, babai i viktimës paralajmëroi për vetëdrejtësi, nëse nuk zbardhet ngjarja dhe nuk dënohen autorët.

Një konflikt që ndodhi më 5 shtator në fshatin Abat të Shalës, në Shkodër, çoi në vrasjen e 61-vjeçarit Piro Prroni. Pasi u vetëdorëzua, autori Ndoc Maçaj pranoi se, duke dalë nga prona e tyre, viktima tentoi ta qëllonte me kosë, ndërsa ai nxori pistoletën dhe qëlloi në ajër. Konflikti vijoi dhe më pas, autori e qëlloi 61-vjeçarin, duke dëshmuar se këtë veprim e bëri për vetëmbrojtje.

65-vjeçari Frrok Lleshi u ekzekutua më 4 gusht në fshatin Paçram të Shkodrës. Paraprakisht dyshohet se vrasja e ish-policit lidhet me një hakmarrje të mundshme. Lleshi ishte një emër i njohur për autoritetet. Ai ishte dënuar më herët për vrasje me dashje dhe me vendim nr. 37, datë 17 mars 2006, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 25 vite burg. Ai u lirua më 16 mars 2023, pasi kishte kryer rreth 17 vite të dënimit.

Një ngjarje e rëndë ndodhi më 27 shkurt në fshatin “Guci e Re” në Shkodër, ku u qëllua për vdekje me armë zjarri 20-vjeçari Pavlin Preka. Për vrasjen janë shoqëruar në polici dhjetëra persona, por hetimi për ngjarjen nuk është mbyllur ende.

Më 18 shkurt, Anila Ndoka Prendushi u qëllua nga i dashuri i saj, i cili më pas vrau veten. Ajo humbi jetën gjashtë ditë më pas në spital. Plumbi i kishte prekur një pjesë të trurit dhe gjatë gjithë kësaj periudhe ishte në repartin e reanimacionit, në gjendje të rëndë për jetën. 44-vjeçarja ishte nëna e tre fëmijëve: 20, 18 dhe 9 vjeç.

Në ditët e para të vitit, më 5 janar, u vra në Postribë 33-vjeçari Ramzan Mataj. Në pranga u vunë tre pjesëtarë të familjes Hasaj, si autorë të dyshuar të vrasjes.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!