Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Ragip Gilën, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur dy ditë më parë në qendër të qytetit, ku humbën jetën dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.
Gjatë seancës gjyqësore, Gila nuk ka shfaqur asnjë reagim përballë trupit gjykues, ndërsa Prokuroria paraqiti kërkesën për mbajtjen e tij në qeli, e cila u pranua nga gjykata.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, kur pas një breshërie plumbash mbetën të vrarë shtetasit Armando Pali dhe Liridon Kraja. Objektivi i atentatit, Erogen Vaso Brajoviç, mbeti i plagosur, ashtu si edhe një kameriere që ndodhej në vendngjarje.
Policia arrestoi në flagrancë Ragip Gilën si autor të dyshuar, ndërsa një ditë më vonë shpalli në kërkim edhe shtetasin Barush Bregu dhe një 17-vjeçar, të dyshuar si bashkëpunëtorë në krim.