Altin Dumanit i përfundon mandati në dhjetor, më datë 17 shtator hapet gara për drejtuesin e ri të SPAK-ut

Më datë 17 shtator, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) do të shpallë zyrtarisht garën për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Mandati tre-vjeçar i drejtuesit aktual, Altin Dumani, përfundon më 16 dhjetor 2025.

Vendimi për hapjen e garës u mor në mbledhjen e KLP-së të datës 15 shtator, ku u miratua projekt-vendimi “Për shpalljen e vendit vakant për Drejtues të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

Altin Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK-ut që nga krijimi i institucionit, pas Arben Krajës. Ai do të vijojë të jetë prokuror pranë kësaj strukture edhe pas përfundimit të mandatit të tij si drejtues. Mandati i prokurorëve të SPAK-ut është 9-vjeçar.

Në mbledhjen e datës 17 shtator, e cila do të zhvillohet në orën 10:00 dhe do të zgjasë 90 minuta, do të marrin pjesë anëtarët e KLP-së, përfaqësues nga Prokurori i Përgjithshëm, Ministria e Drejtësisë, si dhe nga projektet Eu4Justice dhe Programi OPDAT. Media është e ftuar të jetë e pranishme.

Përveç shpalljes së garës për drejtuesin e SPAK-ut, rendi i ditës përfshin edhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së mëparshme, si dhe diskutimin dhe miratimin e projekt-raporteve të vlerësimit etik dhe profesional për prokurorët Françesk Ganaj, Ermira Manelli dhe Hysni Mulaj.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!