Tuzi, Komuna e vogel me zemer te madhe Shqiptare- Nga Musa Kurtulaj

– NJË MODEL PËR PROMOVIMIN E KULTURËS DHE LIBRIT –

Panairi i 6-të mbarëkombëtar i librit, i zhvilluar kohët e fundit në Komunën e Tuzit të Malësisë së Madhe, përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, në Mal të Zi, ishte tashmë një ngjarje e konsoliduar kulturore që mblodhi shtëpi botuese dhe autorë nga e gjithë hapësira shqiptare. Me pjesëmarrjen e 38 shtëpive botuese – nga Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut e deri në Çamëri – ky panair dëshmoi jo vetëm rëndësinë e librit në jetën kombëtare, por edhe rolin thelbësor që komunitetet shqiptare jashtë kufijve po luajnë në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë.Një komunë me rreth 14 mijë banorë rezidentë, siç është Tuzi, të marrë përsipër organizimin e një aktiviteti të këtyre përmasave – që zakonisht u përket qyteteve të mëdha si Tirana, Prishtina, Korça apo Shkodra – është një shembull frymëzues.

Ky është një tregues i qartë se forca e vërtetë e një komuniteti nuk matet me madhësinë, por me vizionin dhe përkushtimin ndaj vlerave të identitetit kombëtar.Veç tregtimit të librit, në panair u zhvilluan nëntë aktivitete promovimi me autorë të ndryshëm gjatë tre netëve të këtij organizimi, duke e kthyer këtë panair në një festë të vërtetë të kulturës shqiptare. Ishin të ftuar për promovimin e librave të tyre personalitete si: ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu; ish-Drejtori i Përgjithshëm i Postë-Telekomunikacionit të Shqipërisë, Fadil Smajlaj; ish-Kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi; poeti i mirënjohur nga Shkupi, Ahmet Selmani; pedagogu i Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkoder, Ervis Krymbi, si dhe shkrimtari dhe botuesi me origjinë nga Çamëria, Arben Kondi, së bashku me shumë autorë të tjerë.Për më tepër, ky aktivitet nuk është i rastësishëm, por i gjashti në gjashtë vitet e fundit qe zhvillohet në Tuz.

Komuna e Tuzit shpenzon mbi 300 mijë euro në vit për zhvillimin e jetës kulturore artistike – një angazhim që flet qartë për prioritetin që i kushtohet kulturës në këtë zonë me tradita të thella atdhetarie dhe trashëgimie shpirtërore kombëtare. Patjetër që një kontribut të spikatur në këtë drejtim ka edhe diaspora nga kjo zonë në Europë dhe SHBA.Sekretarja për Kulturën në Komunën e Tuzit,Marina Ujka, një organizatore model e veprimtarive të kësaj natyre, në një deklaratë me rastin e panairit, theksoi:“Organizimin e këtij panairi çdo vit ne e shohim si një nga sfidat më kryesore që kemi si komunë. Kemi jo pak vështirësi, por bëjmë gjithçka që ta realizojmë sa më mirë, dhe këtë e arrijmë pasi kemi një përkushtim të jashtëzakonshëm.

Ne nuk kemi për qëllim të konkurojmë qytete me peshë në historinë dhe kulturën tonë kombëtare, si Shkodra, Tirana, Elbasani, Vlora, Tetova, Gjakova, Prizreni, Prishtina etj., pasi jemi të ndërgjegjshëm për mundësitë tona modeste. Por ama, përpiqemi që edhe ne të japim kontributin tonë të dobishëm në hapësirën mbarëshqiptare.”Deklarata e saj përforcon bindjen se ky aktivitet nuk është vetëm një organizim protokollar, por një përpjekje shumë serioze për të mbajtur të gjallë gjuhën shqipe, për të forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të krijuar ura të fuqishme mes shqiptarëve, kudo që jetojnë.Për hir të së vërtetës, duhet pohuar se shqiptarët në trojet e tyre në Mal të Zi janë një komunitet model për konstruktivitet në shtetin malazez multietnik!

Nuk mund të mos theksojmë se Tuzi, një komunë e vogël, por me zë të madh kulturor, po jep një model të shkëlqyer për të gjitha qytetet shqiptare: se me përkushtim, dashuri për kombin dhe mbështetje institucionale, kultura mund të lulëzojë edhe atje ku sfidat janë të mëdha.Natyrisht, merita për këtë e kanë edhe deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi si dhe ministrat shqiptarë në Qeverinë e Podgoricës, por në veçanti duhet theksuar një e vërtetë e pamohueshme: roli i Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e Malit të Zi, Nikë Gjeloshaj; zëvendëskryetarit të Parlamentit të Malit të Zi, Nikollë Camaj; dhe kryetarit të Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj!Ky është një shembull që meriton të promovohet, të ndiqet dhe të duartrokitet. Tuzi tashmë e ka kthyer në traditë mbajtjen, një herë në vit, të Panairit Mbarëkombëtar të Librit, ku vetëm në edicionin e gjashtë, të kohëve të fundit, për gjatë tre ditëve, në stendat e këtij “festivali vallëzuan” SHQIP mbi 10 mijë libra!

Lajme te tjera

error: Content is protected !!