Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa veprime procedurale në fushën e rendit dhe sigurisë publike.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin E. L., 20 vjeç, pasi duke drejtuar automjetin, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasja N. Z., 53 vjeçe, e cila pësoi lëndime të lehta.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kryen disa veprime:
- Arrestuan shtetasin D. G., 25 vjeç, banues në Shkodër, pasi shtetasja A. H., 23 vjeçe kallëzoi se ai e kishte kanosur. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një mjet prerës (thikë).
- Shpallën në kërkim shtetasit L. N., 50 vjeç, banues në fshatin Grudë e Re, dhe L. Sh., 28 vjeç, banues në fshatin Ndrejaj, pasi dyshohet se kanë kanosur dhe goditur me sende të forta një 47-vjeçar, për motive të dobëta.
- Referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi mbrëmjen e djeshme, në ambientet e Shtëpisë Mbështetëse “Mimoza”, shtetasja L. B., 64 vjeçe, ka humbur jetën, ku dyshohet për shkak të arrestit kardiak.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.
Malësi e Madhe – Në fshatin Koplik i Sipërm, rreth orëve të para të mëngjesit, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi, duke shkaktuar zjarr në garazhin afër banesës së shtetasit S. Ç.. Për pasojë, janë dëmtuar lehtë bashkëshortët S. Ç. dhe S. Ç..
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e shkaqeve të zjarrit.