Familja Marina nga Shkodra është një shembull i jashtëzakonshëm i suksesit shqiptar në diasporë. Prej28 vitesh, Ardian dhe Kristina Marina jetojnë në Kaliforni, SHBA, së bashku me fëmijët e tyre Anxhelon, Sindin dhe Brandonin, duke ndërtuar një jetë të mbushur me sakrifica, arritje dhe frymëzim.
Ashtu si shumë emigrantë të tjerë në kërkim të një jete më të mirë, rrugëtimi i tyre filloi në Itali për 7 vite, më pas në Chicago dhe në fund në Kaliforni. Sfida dhe lodhjet e shumta nuk i penguan të ruanin buzëqeshjen dhe energjinë për të ecur përpara. Falë vizionit dhe vendosmërisë, ata ndërtuan një familje të fortë dhe biznese të suksesshme, duke lënë një gjurmë të veçantë edhe në sport.
Kristina, ish-volejbolliste profesioniste nga Shkodra, dhe Ardiani, sportdashës i pasionuar, themeluan klubin e volejbollit Forza One, sot një nga më të mirët në Kaliforninë e Jugut, me mbi 100 ekipe për vajza dhe djem. Po ashtu, familja zotëron 50% të aksioneve të ekipit të volejbollit të Los Anxhelosit, duke e kthyer ëndrrën e nisur në Shkodër në një realitet amerikan.

Në fillimet e emigrimit, sakrificat ishin të shumta. Ardiani punoi në ndërtim në Itali dhe më pas si kamionist në SHBA, shpesh i larguar për ditë të tëra nga familja. Por përkushtimi dhe puna e pandalur i mundësuan hapjen e kompanive të tij në fushën e transportit, të cilat sot punësojnë qindra persona në të gjithë Amerikën.

Përtej arritjeve profesionale, familja Marina është krenare për ruajtjen e kulturës dhe gjuhës shqipe tek fëmijët e tyre. Ata janë kthyer në një model frymëzimi për shqiptarët në mbarë botën, duke dëshmuar se me punë, besim dhe përkushtim, çdo ëndërr është e realizueshme.
Së fundmi, vajza e tyre Cindy, aksionere në ekipin e volejbollit të Los Anxhelosit, kurorëzoi dashurinë e saj me Genar Topallin në një dasmë të veçantë në Itali, duke shënuar një tjetër moment të paharrueshëm për këtë familje të suksesshme.

Ky model, ashtu si edhe ai i shumë e shumë shqiptarëve të tjerë jo vetëm në Amerikë, por edhe në mbarë botën, është imazhi më i mirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Ata janë ambasadorët e vërtetë të kombit tonë, pa diploma zyrtare dhe pa tituj protokollarë, por me veprat, qëndrueshmërinë dhe vlerat që përcjellin përmes jetës së tyre të përditshme. Në sytë e komuniteteve ku jetojnë e punojnë, ata mishërojnë frymën punëtore, shpirtin e sakrificës dhe krenarinë e një kombi që nuk dorëzohet kurrë.
Nga Kalifornia në Australi, nga Kanadaja në Europë, janë me mijëra histori si ajo e familjes Marina që dëshmojnë se suksesi shqiptar nuk është rastësi, por fryt i përkushtimit dhe energjisë së pashtershme që shqiptarët mbartin kudo që shkojnë. Këto histori nuk janë thjesht tregime personale; ato janë pasaporta e Shqipërisë në botë, një dëshmi e fuqishme se kombi ynë di të ngrihet mbi sfidat dhe të ndërtojë të ardhme me dinjitet.