Një histori suksesi për emigrantet shqiptare na vjen nga Italia. Melissa Kazmaj, një vajzë 18-vjeçare nga fshati Grizhë, ka arritur të fitojë një nga çmimet kryesore në konkursin prestigjioz të bukurisë “Miss Principessa d’Europa”, i zhvilluar në Romë.
Në edicionin e 15-të të këtij kompeticioni, ku morën pjesë 78 finaliste nga e gjithë Italia, Melissa Kazmaj u shpall fituese e kategorisë “Talento”, duke spikatur jo vetëm për bukurinë, por edhe për sharmin dhe aftësinë për t’u imponuar në skenë.

Ky eveniment, i njohur si një nga TOP 5 konkurset më të ndjekura të bukurisë në Itali, mbahet çdo vit në Cinecittà World dhe njihet për transparencën dhe përfshirjen e mesazheve sociale në veprimtarinë e tij. Përveç bukurisë, konkursi synon të promovojë edhe sensibilizimin për çështje me rëndësi si dhuna ndaj grave, argëtimi pa abuzim me alkoolin dhe mbështetja për fëmijët në vendet e varfra.
Fitorja e Melissës është pritur me entuziazëm nga familja duke e konsideruar atë një krenari për Malësinë e Madhe. Me këtë sukses, ajo i shtohet listës së gjatë të talenteve shqiptare që po spikasin në arenën ndërkombëtare.
Konkursi Miss Principessa d’Europa ka sjellë ndër vite shumë emra të rinj në skenën e artit, televizionit dhe modës italiane. Organizatorët theksojnë se përzgjedhja e Melissës për çmimin “Talento” është dëshmi e potencialit të saj për të ndërtuar një të ardhme premtuese në botën e spektaklit.