Bashkia e Shkodrës ka bërë publik projektvendimin per Planin e Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane (PLQU), një dokument strategjik që parashikon transformimin e qytetit përmes masave konkrete në infrastrukturë, transport dhe hapësira publike. Ky plan synon të modernizojë Shkodrën duke krijuar më shumë hapësira për këmbësorët, përmirësuar lëvizjen me biçikleta dhe transportin publik, si dhe duke shtuar gjelbërimin urban. ShkodraSot, u paraqet disa prej pikave kryesore te Planit te Levizshmerise ne qytet:
Masa 4: Kopshti linear jug–veri dhe boshti multimodal:
Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane (PLQU) për Shkodrën parashikon krijimin e një kopshti linear dhe një boshti multimodal përgjatë itinerarit jug–veri. Ky itinerar lidh disa nga rrugët më të rëndësishme të qytetit: rrugën “Mbreti Gent”, bulevardin “Zogu I”, rrugën e “Studentit” që përfundon në sheshin “Demokracia”, si dhe rrugët “Martin Camaj”, “Europa” dhe “e Tuzit”.
Ky bosht konsiderohet si një nga ndërhyrjet më të rëndësishme të planit. Roli i tij është të shndërrojë një hapësirë të përdorur sot kryesisht për qarkullimin e makinave në një korridor multifunksional ku përparësi absolute do të ketë lëvizja e qëndrueshme. Hierarkia e re e transportit është e qartë: ecja vendoset në plan të parë, çiklizmi në vend të dytë dhe transporti publik në vend të tretë.
Hapësira e gjerë e karrexhatës mundëson që ndërhyrja të marrë një karakter të gjelbër, përmes zgjerimit të zonave me pemë dhe lule, duke ruajtur e vlerësuar gjelbërimin ekzistues dhe duke krijuar sipërfaqe të reja me bimësi vendase. Këto do të ndihmojnë në rritjen e biodiversitetit dhe menaxhimin më të mirë të ujërave të shirave – një nevojë jetike për një qytet si Shkodra, që shpesh përballet me përmbytje. Ky koncept frymëzohet edhe nga tradita e kopshtijeve të fshehura mes lagjeve, si dhe nga vazhdimësia natyrore e shëtitores që çon drejt liqenit dhe Shirokës.
Në kuadër të kësaj mase, parashikohet riorganizimi i hapësirës rrugore: krijimi i një korsie të vetme për automjetet, pa korsi të veçanta për autobusë (përveç një segmenti të bulevardit “Zogu I”), dhe ndërtimi i korsive të dedikuara e të mbrojtura për çiklistët në të dyja anët e rrugës. Njëkohësisht, plani ndalon parkimin përgjatë gjithë itinerarit, duke e zëvendësuar atë me hapësira të dedikuara për parkim afatshkurtër, si dhe me vende të alternuara për ngarkim-shkarkim për mjetet e shpërndarjes urbane.
Ndërhyrja përfshin gjithashtu rinovimin e plotë të infrastrukturës rrugore dhe publike, duke përfshirë rrjetet nëntokësore të energjisë elektrike, gazit, internetit dhe kanalizimeve. Itinerari i plotë ka një gjatësi prej 3.2 km dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 11 hektarësh. Kjo masë është e ndërlidhur me masa të tjera të planit, si M20, M28, M29 dhe M42, dhe parashikohet të nisë me një fazë të parë të zbatimit afatshkurtër. Për këtë segment, në kuadër të PLQU-së është përgatitur tashmë një projekt konceptual, i cili shpjegohet më hollësisht në Shtojcën IV të dokumentit.

Masa 5: Zhvillimi i kopshtit linear lindje–perëndim dhe boshtit multimodal
Koncepti i parashikuar për Masën 4 zbatohet, pothuajse në mënyrë të kundërt, edhe përgjatë itinerarit lindje–perëndim. Ky korridor përfshin bulevardin “Bujar Bishanaku”, rrugën “Teuta”, bulevardin “Skënderbeu”, rrugën “Revolucioni Antikomunist Hungarez” deri te Stacioni i Trenit, si dhe rrugën “Besnik Ceka”. Në total, ky itinerar ka një gjatësi prej rreth 3 kilometrash.
Ashtu si në boshtin jug–veri, edhe këtu bulevardi “Bishanaku” ka një seksion dhe shtrirje të ngjashme, duke u lidhur në Sheshin “Demokracia”. Ky bulevard dallohet për gjerësinë e tij të madhe dhe për rreshtin ekzistues të pemëve në qendër, të cilat përbëjnë një element të rëndësishëm natyror dhe estetik. Pjesa e dytë e itinerarit, nga ky bulevard deri te stacioni i trenit, ka një profil më të ngushtë, por një rëndësi të madhe vizuale, pasi orientohet drejt Teatrit “Migjeni”. Kjo e dallon atë nga bulevardi “Bishanaku” dhe përbën një pikë referimi të rëndësishme, siç është theksuar edhe në Analizën e Gjendjes.
PLQU-ja rekomandon që ndërhyrja në këtë bosht të ndahet në tre segmente kryesore:
- Bulevardi “Bishanaku” – i cili mund të ndjekë një qasje të ngjashme me boshtin jug–veri, duke kombinuar hapësirat e gjelbra me infrastrukturën për këmbësorët dhe çiklistët, pa humbur funksionalitetin e transportit.
- Segmenti lindor – që shtrihet nga kryqëzimi me rrugën “Edith Durham” deri te stacioni i trenit dhe sheshi “Mark Lula”. Për shkak të gjerësisë më të kufizuar të rrugës, këtu propozohet një model më i lehtë i kopshtit linear, duke ruajtur pemët ekzistuese dhe duke përshtatur hapësirën për lëvizje të qëndrueshme.
- Segmenti qendror – që përfshin rrugën “Teuta” dhe bulevardin “Skënderbeu”, nga “Edith Durham” deri në Sheshin “Demokracia”. Në këtë pjesë duhet të mbizotërojë koncepti i hapësirës publike mbi atë të transportit, duke krijuar më shumë ambiente të qeta për qytetarët.
Kjo ndërhyrje lidhet drejtpërdrejt me strategjinë për zgjerimin e qendrës historike të Shkodrës dhe kthimin e saj në një zonë më të qetë e të gjallë për banorët dhe vizitorët, në përputhje me masat M8 dhe M9. Në këtë kuadër, plani parashikon mbylljen e rrugës për qarkullimin e përgjithshëm të automjeteve dhe dhënien e përparësisë absolute transportit publik, këmbësorëve dhe çiklistëve.
Një shembull referues për këtë lloj transformimi është rruga Slovenska në Lubjanë, e cila është shndërruar në një korridor modern të lëvizshmërisë urbane, falë projektit europian CIVITAS ELA. Ky model tregon se si hapësirat urbane mund të përshtaten duke ruajtur funksionin e tyre transportues, por duke vendosur qytetarin dhe cilësinë e jetës së tij në qendër të projektimit.

Masa 6: Përmirësimi i unazave të brendshme perëndimore dhe lindore
Unaza e brendshme perëndimore përkufizohet nga rrugët “Vëllezërit Frashëri”, “Fetih Dizdari”, “Ibrahim Rugova” dhe “Dasho Shkreli”, deri në sheshin “Ura e Maxharrit” (nyja me rrugën “Europa”). Ajo ka një gjatësi totale prej 3.1 km dhe tashmë karakterizohet nga mungesa e parkimeve në rrugë (në përputhje me Rregulloren e propozuar Lokale të Rrugëve) dhe nga një trotuar në gjendje shumë të mirë. Ndërhyrjet e parashikuara janë kryesisht të lehta dhe fokusohen në:
- sinjalistikë dhe vijëzime rrugore;
- vendosjen e kalimeve për këmbësorë (të cilat aktualisht mungojnë);
- zgjerimin dhe lidhjen e bazamenteve të pemëve për të rritur përshkueshmërinë dhe sipërfaqet kulluese;
- rritjen e sigurisë në kryqëzime.
Unaza e brendshme lindore përfshin segmentin e parë të bulevardit “Mehmet Pashë Plaku” dhe rrugët “Draçin”, “Tepe”, “Gjon Buzuku”, “Kolë Prela”, “Pal Ëngjëlli”, “Hilë Mosi”, “Marie Shllaku”, “Adem Jashari” dhe “Hysen Laçej”, duke u mbyllur në sheshin “Ura e Maxharrit”. Gjithsej, ky itinerar ka një gjatësi rreth 6 km.
Aktualisht, kjo unazë përdoret më pak nga drejtuesit e automjeteve të vogla, kryesisht për shkak të distancës pak më të gjatë dhe preferencës për rrugë më qendrore. Megjithatë, rruga ka përmasa të mira, është risistemuar së fundmi me asfaltim të plotë, trotuare të përmirësuara, korsi biçikletash dhe kalime për këmbësorë.
Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane parashikon kryesisht:
- mirëmbajtje të rregullt për ruajtjen e cilësisë aktuale;
- shtim të sinjalistikës orientuese (përfshirë tabela me mesazhe elektronike – VMS);
- vendosje të sensorëve për monitorimin e trafikut dhe kushteve të sigurisë.
Masa të tjera synojnë të drejtojnë më shumë trafik drejt kësaj unaze, duke e bërë atë më funksionale dhe të përdorshme. Kjo masë është plotësuese e Masës M20, e cila parashikon përmirësimin e korsive ekzistuese të biçikletave (të pambrojtura) në të dy drejtimet.
Në disa segmente, mund të parashikohet vendosja e infrastrukturës për çiklizëm në nivelin e trotuarit, për të shmangur parkimet e parregullta. Gjithashtu, duhet të përcaktohet vendndodhja e mundshme e stacioneve të autobusëve në rast se do të operojë një linjë tjetër autobusi me lëvizje rrethore, duke garantuar ruajtjen e hapësirës së nevojshme për përdoruesit e rrugës.

Masa 7: Përmirësimi dhe rikompozimi i akseve shpërndarëse lindore
Nga kryqëzimi me sheshin “Balshaj” dhe përgjatë bulevardit “Mehmet Pashë Plaku”, shtrihet një bosht depërtues lindor prej rreth 2.5 kilometrash. Ky aks përfshin sheshin “Perash” dhe rrugët “Edith Durham” dhe “Marin Beçikemi”.
Ky itinerar ka një rol të rëndësishëm shpërndarës, pasi lidhet me boshtin lindje–perëndim në sheshin “Perash”, përmes rrugës “Daut Boriçi” (që të çon drejt sheshit “Parrucë”), si dhe me rrugën “Tepe”, që lidhet me unazën lindore. Në këtë mënyrë, krijohet një rrjet funksional lidhjesh që lehtëson qarkullimin e trafikut dhe shmang ngarkesën në bulevardet kryesore.
Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane i jep një rëndësi të veçantë këtyre rrugëve shpërndarëse lokale. Ato duhet të shërbejnë si alternativa për devijimin e trafikut nga qendra, duke ndihmuar në uljen e ngarkesës dhe rritjen e cilësisë së jetës urbane. Në këtë kuadër, rrugët “Mehmet Pashë Plaku”, “Edith Durham” dhe “Marin Beçikemi” janë akset ku duhet të fokusohet përparësia. Përgjatë tyre, rekomandohet të vendosen hapësira parkimi jashtë rruge, në distancë të përshtatshme nga qendra e qytetit (siç theksohet edhe te Masa 41).
Skema rrugore e parashikuar për këtë masë duhet të organizojë në mënyrë të qartë:
- parkimet afatshkurtra në rrugë;
- zonat e ngarkim–shkarkimit për shërbimet dhe shpërndarjen urbane;
- korsi biçikletash në të dyja anët e rrugës.
Kjo masë ka një natyrë të dyfishtë: infrastrukturore dhe rregullatore. Ajo përfshin rikonceptimin e platformës rrugore sipas modelit të akseve multimodale, duke e përshtatur me hapësirat ekzistuese.
Në mënyrë të përgjithshme, ndërhyrjet duhet të synojnë:
- përmirësimin e cilësisë së trotuareve dhe hapësirave publike;
- shtimin e elementeve të gjelbërimit;
- ngushtimin e rrezes së kthesave me përafrim të cepave në kryqëzime, për të rritur sigurinë.
Rikonceptimi përfshin gjithashtu përmirësimin e rrethrrotullimeve dhe sheshit “Perash”, duke e shndërruar këtë nyje në një hapësirë funksionale, të sigurt dhe miqësore për të gjitha mënyrat e transportit.

Masa 8: Sigurimi i vijueshmërisë së zonës ekzistuese për këmbësorë dhe zgjerimi i saj në zona të tjera të afërta
Rikonstruksioni aktual i tregut të Zdrales do të sjellë zgjerimin e parë të zonave të dedikuara për këmbësorë. Nga rrugët “Kolë Idromeno”, “28 Nëntori” dhe “13 Dhjetori” do të mund të vazhdohet përgjatë rrugës “Hamz Kazazi”, duke kaluar përmes sheshit “Parrucë” dhe duke u lidhur me rrugët “Oso Kuka” dhe “Gjybegaj” përmes rrugës “Evlia Çelebiu”.
Rruga “Gjybegaj”, ku ndodhet Muzeu Historik – Shtëpia e Oso Kukës dhe pema shekullore “Çinari”, është tashmë e shtruar me kalldrëm, por ende nuk është e kufizuar për qarkullimin e mjeteve. Për pasojë, hapësira dominohet nga automjete të parkuara përgjatë saj, duke penguar përdorimin e plotë si hapësirë publike.
Në afat të shkurtër, Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane parashikon që segmentet “28 Nëntori – 13 Dhjetori” dhe rruga “Gjuhadol” (aktualisht me kufizim të përkohshëm të trafikut) të shndërrohen në zona ekskluzivisht për këmbësorë, përmes vendosjes së sinjalistikës dhe rregullave të qarkullimit.
Në zonën e Zdrales, masa do të vihet në zbatim pas përfundimit të punimeve të planifikuara, të cilat do të transformojnë rrugët lokale në hapësira publike funksionale dhe të sigurta. Këto zona për këmbësorë do të lejojnë qarkullimin e automjeteve vetëm për banorët dhe për pronarët/qiramarrësit e garazheve apo parkimeve private. Për mjetet e shpërndarjes, do të ketë fashë të posaçme orare. Parkimi në rrugë nuk do të lejohet në asnjë rast.
Në afat të mesëm (2029) dhe afat të gjatë (2034), masa parashikon zgjerimin e këtij modeli në rrugë dhe sheshe të tjera lokale përgjatë gjithë perimetrit të qendrës historike. Synimi është shndërrimi i saj në një zonë të zgjeruar, të qetë dhe plotësisht të dedikuar për këmbësorë.
Plani rekomandon që ky shndërrim të jetë i përhershëm, duke garantuar cilësi më të lartë jete, hapësira publike më funksionale dhe një identitet të fortë urban për qendrën historike të Shkodrës.

Masa 9: Zbatimi i një zone me trafik të kufizuar (ZTK) të ndarë në sektorë në qendrën e qytetit
Kjo është masa qendrore e strategjisë, e cila parashikon krijimin e një Zone të Zgjeruar me Trafik të Kufizuar (ZTK), të organizuar në pesë sektorë:
- Sektori 1 kufizohet nga rrugët dhe bulevardet: “Skënderbeu”, “Teuta”, “Qemal Draçini”, “Marin Beçikemi”, “Jeronim De Rada” dhe “Ludovik Saraçi”.
- Sektori 2 kufizohet nga boshti “Teuta/Skënderbeu”, “Edith Durham”, “Sabri Bushati”, “Daut Boriçi” dhe “Zogu I”.
- Sektori 3 (Zdrale) kufizohet nga “Bujar Bishanaku”, “Studenti”, “Zogu I”, tregu i rikualifikuar i Zdrales deri te stadiumi (zonë për këmbësorë), me rrugën “Kongresi i Manastirit” dhe rrugët “Myzafer Pipa” dhe “Lidhja e Prizrenit” si pikat kryesore të hyrjes.
- Sektori 4 kufizohet nga rrugët “Qemal Draçini”, “Martin Camaj”, “Bishanaku” dhe “Nazmi Kryeziu”.
- Sektori 5 kufizohet nga rrugët “Martin Camaj”, “Pogej”, “Lin Delia” dhe “Jeronim De Rada/Ludovik Saraçi”.
Rrugët kufitare të secilit sektor do të qëndrojnë të hapura për qarkullimin e përgjithshëm, por do të menaxhohen me kujdes hapësirat buzë trotuareve, për të mundësuar:
- parkim afatshkurtër,
- zona për ngarkim/shkarkim,
- akses në garazhet publike (në përputhje me strategjitë 2 dhe 9).
Në afatin e mesëm dhe të gjatë, dhe në përputhje me përparimin e Masës 5, Plani i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane parashikon:
- bashkimin e sektorëve 1 dhe 2, përmes mbylljes së përhershme të rrugës “Teuta” dhe bulevardit “Skënderbeu”;
- bashkimin e sektorëve 2 dhe 3, përmes mbylljes së përhershme të rrugës “Studenti”, për të mundësuar krijimin dhe zgjerimin e Zonës së Muzeve, që do të përfshijë parkun qendror, hapësirat publike përpara Bibliotekës Publike dhe Universitetit, si dhe një segment të rrugës “Studenti”.
Kjo masë ka për qëllim transformimin e qendrës së Shkodrës në një hapësirë të organizuar, të sigurt dhe tërësisht funksionale për këmbësorët, duke balancuar nevojat e qarkullimit me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e cilësisë së jetës urbane.


Sqarim: Zonë me Trafik të Kufizuar (ZTK)
Një Zonë me Trafik të Kufizuar (ZTK) synon të kufizojë hyrjen e automjeteve në një zonë të caktuar vetëm për disa kategori përdoruesish dhe/ose lloje të veçanta automjetesh. Një automjet mund të hyjë në këtë zonë vetëm nëse përdoruesi ka marrë paraprakisht një leje të posaçme.
Kategoritë kryesore të përdoruesve që mund të pajisen me leje të përhershme ose të përkohshme për hyrje në një ZTK janë:
- Banorët e përhershëm të zonës ZTK (të regjistruar si pronarë ose qiramarrës të një prone në regjistrin civil të bashkisë).
- Pronarët ose qiramarrësit e një garazhi brenda zonës ZTK.
- Transportuesit e mallrave, të lejuar shpesh vetëm brenda intervaleve të përcaktuara kohore (p.sh., korrierët ekspres, shërbimet e shpërndarjes së pakove, bizneset lokale, farmacitë, shërbimet e katering-ut, luleshitësit etj.).
- Punonjësit e mirëmbajtjes dhe mjeshtrit teknikë që ofrojnë shërbime të rregullta brenda ZTK-së (p.sh., elektricistë, hidraulikë, kompani pastrimi, ofrues të asistencës teknike).
- Personat me aftësi të kufizuara, që zotërojnë kartë/etiketë parkimi ose automjet të regjistruar në kategorinë fiskale për këtë qëllim.
- Kujdestarët, profesionistë ose familjarë, që ofrojnë ndihmë për një banor të varur nga përkujdesja e tyre (të moshuar, persona me aftësi të kufizuara apo fëmijë).
- Mjekët e shërbimit shëndetësor publik dhe/ose ata që kanë klinikë brenda zonës ZTK.
- Institucionet publike, për automjetet zyrtare të regjistruara në flotën e tyre.
Disa kategori të tjera mund të shtohen, si dhe mund të lëshohen leje të rastësishme ose të përkohshme për nevoja të veçanta. Megjithatë, PLQU-ja rekomandon që lista e përdoruesve të autorizuar të kufizohet vetëm në kategoritë themelore dhe të vendoset një kufi maksimal i automjeteve për çdo kategori.
Lejet do të ndahen sipas sektorëve të ZTK-së (p.sh., një banor i sektorit 1 nuk mund të hyjë në sektorin 5), me përjashtim të automjeteve të shpërndarjes dhe shërbimeve që operojnë në të gjithë zonën. Brenda çdo sektori, vetëm banorët që nuk disponojnë garazh ose vend parkimi privat do të lejohet të parkohen në rrugë.
Kjo masë ka karakter rregullator dhe përfshin:
- përgatitjen e rregullores për ZTK-në,
- rishikimin e skemës së lëvizjes dhe tabelave përkatëse,
- sistemin për menaxhimin e lejeve,
- pajisjet dhe mënyrat e kontrollit (p.sh., kamera me njohje automatike të targave – ANPR, pengesa fizike).
Udhëzime themelore për zbatimin janë të disponueshme në faqen zyrtare të projektit CIVITAS ReVeAL.

Masa 20: Projektimi dhe plotësimi i një rrjeti qendror urban të biçikletave bazuar në parimet holandeze të projektimit
Plani propozon që Shkodra të rikonfirmohet si një qytet i sigurt dhe i aksesueshëm për çiklizëm, duke kombinuar korsitë e mbrojtura për biçikleta me rrugë lokale të projektuara si hapësira të përbashkëta për të gjithë përdoruesit e trafikut. Sipas anketës së sjelljes së lëvizshmërisë për PLQU-në, rreth 30% e qytetarëve përdorin biçikletën çdo ditë për të shkuar në punë dhe 25% për lëvizje rekreative. Kjo traditë duhet të ruhet dhe përmirësohet.
Qëllimi i kësaj mase është përfundimi i një rrjeti minimal të çiklizmit në qytet, përmes krijimit të korsive të reja dhe përmirësimit të atyre ekzistuese. Çiklizmi duhet të bëhet një nga mënyrat më të rehatshme dhe të sigurta për lëvizje në qytet, pa perceptim rreziku për përdoruesit.
Parimet kryesore të projektimit:
- Zbatimi i parimeve holandeze, duke siguruar korsi për çdo drejtim dhe duke ruajtur lëvizjen e biçikletave në të djathtë të rrugës, si aktualisht në Shkodër.
- Korsi të përshtatshme për çiklistët më të shpejtë dhe më të ngadaltë, përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe biçikletat transportuese.
- Gjerësia minimale e korsi në bulevardet kryesore: 1.80 m; e rekomanduar: 2.20 m; gjerësia minimale e lejuar në një drejtim: 1.50 m (pa përfshirë bankinën ose vijën ndarëse).
- Masat mbrojtëse: shtylla mbrojtëse, gardhe natyrore (gjelbërim) ose barrierë fizike.
- Sinjalistikë horizontale mbrojtëse (50–80 cm, standard 1 m) për të shmangur dëmtimet nga hapja e dyerve të makinave.
- Sipërfaqe asfalt dhe ngjyrë e njëtrajtshme e korsive.
Prioritetet e rrjetit të çiklizmit në akset kryesore dhe bulevarde:
Prioritet i lartë: Bulevardi “Zogu i Parë”, Rruga “Studenti”, Rruga “Qemal Draçini”, Rruga “Martin Camaj”, Bulevardi “Teuta”, Bulevardi “Skënderbeu I”, Rruga “Bujar Bishanaku”.
Prioritet i mesëm: Rruga “Mbreti Gent”, Rruga e Pazarit, Rruga “Mbreti Agron”, Rruga “Mehmet Pashë Plaku”, Rruga “Edith Durham”, Rruga “Marin Beçikemi”, Rruga “Daut Boriçi”, Rruga “Europa”, Rruga “Ing. Gjovalin Gjadri”.
Prioritet i ulët: Unaza lindore dhe perëndimore, Rruga “Isuf Sokoli”, Rruga “Besnik Çekja”.
Korsitë integrohen me kopshtet lineare (M4 dhe M5) kur është e mundur, por rrjeti mund të zbatohet edhe para përfundimit të këtyre masave. Prioriteti i ndërhyrjeve të tjera:
Prioritet i lartë: Rrugët Fahri Ramadani, Hoxha Tahsim, Lamijej, Nazmi Kryeziu, Bajram Curri, Kasem Taipi, Hoxhë Kadria, Jul Variboba, Jeronim De Rada, Ludovik Saraçi, Kardinal Mikel Koliqi, Kole Heqimi.
Prioritet i mesëm: Pogej, Lin Delia, Leke Dukagjini, Kongresi i Manastirit, Myzafer Pipa, Osja i Falltores, Ethem Osmani, Sarda, Pjeter Bogdani, Justin Godard, Arra e Madhe, Ded Gjon Luli, Tepe, Kupe Danja, Koplikej, Baja e Vogel, Lidhja e Prizrenit.
Rrjeti përfshin riprojektimin e kryqëzimeve, nyjeve dhe kalimeve rrugore për të siguruar përvojë më të mirë dhe më të sigurt për çiklistët dhe turistët. Rrethrrotullimet do të ofrojnë hapësirë për ecje, gjelbërim dhe përdorim publik, ndërsa kryqëzimet më të mëdha do të riprojektohen si sheshe dhe jo si nyje rrugore tradicionale.
Ky rrjet lidhet me masat M11, M12, M13 dhe M15 dhe kontribuon në krijimin e një sistemi të sigurt, funksional dhe të integruar të çiklizmit në Shkodër.


P.S: Kjo eshte vetem nje pjese e planit te mobilitetit per qytetin.
Me planin eplote mund te njiheni ne konsultimin publik:
Këshilli Bashkiak Shkodër fton qytetarët të marrin pjesë në seancën e këshillimit publik mbi:
Projektvendimin “Plani i lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane për Shkodrën”.
Data: E premte, 17 Tetor 2025
Ora: 13:30
Vendi: Salla e mbledhjeve të Këshillit Bashkiak Shkodër
Qytetarët mund të japin sugjerimet dhe komentet e tyre deri më 17 Tetor 2025, në këto mënyra:
• Me shkrim pranë zyrave të Bashkisë Shkodër
• Me postë
• Me email në adresën: keshillibashkiak@bashkiashkoder.gov.a
Pjesëmarrja juaj është e rëndësishme për zhvillimin e qytetit tonë.