Pas katër ditësh në agoni, Mimoza Hoxha, 64 vjeçe, humbi betejën me jetën. Nëna e dy djemve dhe gjyshja e disa nipërve e mbesave, u bë viktimë e një rruge që prej kohësh është kthyer në pistë gare për makina dhe motorra.
Ishte një dite zakonshme kur ajo, si çdo ditë tjetër, doli nga klinika ku punonte në lagjen “Skënderbeg” për të hedhur koshin e mbeturinave. Por aty e priste shpejtësia vrastare. Dy automjete, që lëviznin me drejtim të kundërt, u përplasën me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre, i pakontrolluar, goditi edhe dy makina të parkuara e kontenieret, duke e marrë përpara edhe Mimozën, që ndodhej pranë kontenierëve.
Me plagë të rënda, ajo u dërgua në spitalin e Shkodrës, ku luftoi katër ditë për jetën, por nuk mundi t’i mbijetonte. Policia arrestoi asokohe dy drejtuesit e mjeteve per ti lene me pas gjykata ne liri deri ne perfundimin e hetimeve.

Denoncimi i qytetarëve për rrugën e rrezikshme
Pasojat ishin të parashikueshme. Qytetarët denoncuan me heret ne ShkodraSot se segmenti nga rrethrrotullimi pranë zjarrfikësve deri tek sheshi “Prek Cali” është përditë arenë shpejtësish, ku makina dhe motorra sfidojnë ligjin nën hundën e Policisë. Madje, vetëm një ditë pas aksidentit tragjik të Mimozës, një tjetër makinë përplasi dy persona me motor në të njëjtën rrugë.
Ky segment, fare pranë komisariatit të policisë, është dëshmi e një shteti të munguar. Sepse aksidente ndodhin kudo në botë, por vetëm në Shkodër ndodhin mes lagjeve, aty ku fëmijët luajnë dhe qytetarët ecin, ndërsa makinat fluturojnë me shpejtësi autostrade.
Mimoza Hoxha nuk kishte asnjë faj. Por ajo u bë viktimë e mosveprimit, e papërgjegjësisë dhe e një policie që, në vend që të mbrojë jetën, lejon rrugët e qytetit të kthehen në kurthe vdekjeje.