Projekti arkeologjik në Gajtan: Zbulohet një faqe e re e historisë së paleolitit në Shkodër

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka bërë të ditur se gjatë muajit shtator në fshatin Gajtan, pranë fortifikimit të njohur si Qyteza e Gajtanit dhe shpellës me të njëjtin emër, është zhvilluar projekti kërkimor “Gajtan, kërkime arkeologjike paleolitike në Shqipëri”.

Ky projekt u realizua në bashkëpunim mes Institutit të Arkeologjisë / Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nën drejtimin e arkeologut Rudens Ruka, dhe disa institucioneve shkencore franceze si: Njësia e përbashkët kërkimore 7194 “Historia Natyrore e Shkencave Humane Prehistorik”, INRAP dhe Universiteti Perpignan Via-Domitia.

Puna kërkimore në terren u përqendrua në vëzhgime sipërfaqësore të masivit gëlqeror të Kodrës së Gajtanit, identifikimin e formacioneve karstike si shpella e strehë shkëmbore, aplikimin e teknologjisë LIDAR për kontrollin e zonave të pyllëzuara, si dhe pastrimin dhe ridokumentimin e profilit të gërmimeve të kryera në vitet ’80 nga paleontologu Anton Fistani. Gjithashtu, u morën kampione sedimentare për analiza paleomjedisore dhe kronometrike.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, ky projekt do të ndihmojë në krijimin e një kuadri më të qartë paleomjedisor dhe kronologjik për periudhën e paleolitit të poshtëm, duke hedhur dritë mbi jetën e bashkësive të hershme njerëzore në këtë territor.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!