Dokumenti parashikon që këto shërbime të mos zhvillohen më në ndërtesa të përbashkëta banimi
Bashkia e Lezhës ka nisur konsultimet publike për miratimin e një rregullore të re që do të prekë drejtpërdrejtë aktivitetin e shtëpive dhe agjencive funerale. Dokumenti, i cili pritet t’i kalojë Këshillit Bashkiak, parashikon që këto shërbime të mos zhvillohen më në ndërtesa të përbashkëta banimi, të kenë detyrim për parkime në zona të veçanta dhe jo te dukshme ndërsa parashikohen zona të kuqe, ku nuk do të lejohet ushtrimi i aktivitetit. Nënkryetar i Bashkisë Lezhë, Fatjon Zefi theksoi se përveç detyrimit ligjor, rregullorja është hartuar edhe pas ankesave të shumta të qytetarëve, duke e bërë të domosdoshme disiplinimin e këtij shërbimi.
Fatjon ZEFI – N/kryetar i Bashkisë Lezhë
Drejtori i Sherbimeve ne Bashkine Lezhe, Jurgen Marku, bëri të ditur se janë evidentuar raste kur shërbimet funerale ushtrohen në ambiente të përbashkëta, gjë që krijon problematika, ndaj tashmë do të kërkohet regjistrimi i tyre me rregulla të qarta dhe specifike.
Jurgen MARKU – Drejtor i shërbimeve, Bashkia Lezhë
Në konsultimin publik morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të këtyre shërbimeve, të cilët dhanë dakordësinë për miratimin e rregullorese re, duke theksuar rëndësinë e një disiplinimi që nuk cenon komunitetin. Rregullorja e re pritet të miratohet në Këshillin Bashkiak të Lezhës, duke vendosur një kuadër më të qartë dhe të rregullt për shërbimet funerale në qytet.