Studentët e Fakultetit të Infermierisë të Universitetit të Shkodrës kanë përfunduar praktikën e tyre profesionale në Medjugorje, Bosnje dhe Hercegovinë, një nga qendrat më të vizituara të pelegrinazhit në botë.
Praktika u zhvillua në kuadër të projektit ndërkombëtar BIOSINT, duke u dhënë studentëve mundësinë të kombinojnë përvojën profesionale me ndihmën konkrete për komunitetin. Gjatë qëndrimit të tyre, ata ofruan ndihmë mjekësore për banorët dhe pelegrinët që kanë pasur probleme shëndetësore gjatë pelegrinazhit.
Studentët e programeve Infermieri, Mami dhe Fizioterapi patën gjithashtu rastin të njihen me diversitetin kulturor dhe shpirtëror që karakterizon këtë vend, duke përfituar një eksperiencë të plotë si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë personal.
Medjugorja është bërë e njohur që prej vitit 1981, kur u raportuan shfaqjet e Virgjëreshës Mari, dhe prej asaj kohe vijon të tërheqë pelegrinë nga mbarë bota.





