Bashkia Shkodër ka nisur marrjen e masave ndaj subjekteve të shërbimeve funerale që vijojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kundërshtim me kriteret dhe standardet e miratuara nga Këshilli Bashkiak në muajin mars.
Procesi, i cili fillimisht kaloi në konsultim publik dhe më pas në vendimmarrje nga Këshilli Bashkiak, i dha të gjitha subjekteve afatin deri më 25 shtator për të plotësuar kushtet ligjore. Por, me tejkalimin e këtij afati, Bashkia ka nisur të vendosë gjobat e para ndaj shkelësve.
Sipas njoftimit zyrtar, masat nuk do të ndalen vetëm te gjobitjet, por do të vijojnë me çdo penalitet të parashikuar në ligj, deri në përmbushjen e plotë të standardeve të kërkuara.
“Çdo subjekt që do të vazhdojë aktivitetin pa respektuar kriteret dhe standardet e vendosura, do të përballet me penalitete ligjore”, paralajmëron Bashkia Shkodër.
Ky hap, sipas institucionit, është i domosdoshëm për të garantuar se shërbimet funerale në qytet zhvillohen në mënyrë të rregullt, duke respektuar ligjin dhe duke mos cënuar bashkëjetesën në komunitet.





