Shkodra nderon legjendën: “Kupa e Ikonave – Feti Dizdari”. Me 11 Tetor ne “Loro Borici”

Në kuadër të programit “Shkodra – Qyteti Europian i Sportit 2025”, Shoqata Sportive e Atletikës “Vllaznia”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Federatën Shqiptare të Atletikës, do të organizojë më 11 tetor aktivitetin sportiv “Kupa e Ikonave – Feti Dizdari”.

Eventi do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” duke nisur nga ora 10:00 dhe është i hapur për pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe vende të tjera të rajonit.

Ky aktivitet vjen në nderim të një prej figurave më të mëdha të atletikës shqiptare, Feti Dizdari, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme si sportist dhe trajner. I lindur në Shkodër më 1913, Dizdari ka qenë kampion i shumëfishtë kombëtar në disiplinat 200, 400 dhe 800 metra, si dhe përfaqësues i Shqipërisë në Ballkaniada të ndryshme.

Pavarësisht vështirësive të kohës, ai themeloi një ndër ekipet më të suksesshme të atletikës për femra në vend, duke e udhëhequr Vllazninë drejt titullit kampion për 15 vite me radhë. Nxënësit e tij, të kthyer më vonë në kampionë, mbeten dëshmi e punës së tij vizionare.

Gjatë jetës, Feti Dizdari është nderuar me një sërë çmimesh dhe titujsh, përfshirë “Mësues i Popullit”, “Qytetar Nderi i Shkodrës” dhe “Nderi i Kombit”. Një rrugë në qytetin e Shkodrës mban emrin e tij.

Organizatorët ftojnë qytetarët e Shkodrës dhe dashamirësit e sportit të jenë pjesë e këtij aktiviteti, i cili synon të promovojë vlerat e atletikës dhe të nderojë figurën e një personaliteti të paharrueshëm të sportit shqiptar.

Screenshot

Lajme te tjera

error: Content is protected !!