SHUKE BABANI, KENGETARE, FEMRA E PARË, E SHQUAR NË ZONËN E VAU DEJËSIT,QË KËNDOI ME PASION KËNGËN POPULLORE ZADRIMORE E MË GJERË
Nga Luan Qalliu
Etnokultura e zonës së Vau Dejës,si ajo material dhe ajo shpirtërore është mjaft e pasur dhe larmishme,meqë shtrihet në një territor të gjerë,në një sipërfaqe rreth 250 km²,duke përfshirë 22 fshatra, me afro 30 mijë banorë.Dihen resurset e mëdha materiale të kësaj zone të rëndësishme për qarkun e Shkodrës e më tej.Këtu do të flasim për etnokulturën shpirtërore e cila edhe kjo është maft e pasur dhe e shumellojshme, sepse aty do të gjesh kulturën shpirtërore e artin Zadrimor, Mirdiitor dhe atë të zonës të Dukagjinit. Ndaj nga kjo trevë ka dale e vazhdojnë të dalin : këngëtarë, valltarë, instrumentista të talentura dhe rapsodë të shquar, që kanë shkëlqyer në skenat në shkallë zone, në skenat e Shkodrës, ne ato kombëtare, madje dhe në ato ndërkombëtare.
Për të mbajtur të gjallë këtë etnokulturë ndër vite ndihmesë të vyer kanë dhënë ahenxhinjtë anonimë e më pas, pasҫlirimit, kur u hapën shkollat e muzikës, institucionet e specializuara të artit e kultures, ndihmesa qe më e specifikuar e rezultative.Edhe tani janë bijtë e bijat e trojeve përkatëse që po e ҫojnë më tej ruajtjen e këtyre vlerave dhe po i zhvillojnë më tej, si : Gjin Shkoza, Gjon Frroku,Llesh Frrok Marku,Gjergj Pacani, Donika Ndreca, Pina Bulcaku, Pjetër Ndue Zefi,Palok Bardhi, Çesk Vokrri, Jak Vokrri, Dilora Dodani, Viktor Paloka, Nikoleta Vokrri, intrumentisti i ri,i talentuar, Almarin Zadeja,Elizabeta Marku etj. Por në veҫanti është dalluar Ndreke Nikaj,i shquar per organizimin dhe drejtimin e veprimtarive kulturore-artistike ne zone dhe përgjegjësi i kino-klubit në Laҫ të Vau Dejës, Gjovalin Gjoni, që në vitet 70-80-të shekullit të kaluar punoi me përkushtim, pra 20 e ca vite. Ai qe jo vetëm një drejtues i krejt veprimtarive që zhvilloi kjo zonë, por ishte njëkohësisht dhe interpetues dhe krijues. Edhe sot banorët, këngëtarët, instrumentistë dhe rapsodët e kësaj treve e kujtojnë me nderim e respekt këtë drejtues të mrekullueshëm prej të cilit kanë dalë me dhjetra e dhjetra talente të shquara që interpetojnë në skenat brenda vendit e madje dhe jashtë,të cilët i janë mirënjohës përherë. Në këtë zone meriton të kujtohet, të vlerësohet e të nderohet edhe Shaqe Babani, këngëtarja e pare, femer, e këngës popullore zadrimore e më gjerë, kengetare pothuajse e lene ne harrese, ndaj nepermjet ketij shkrimi po e risjell ne vemendje te institucioneve perkatese qe ta vleresojne sic e meriton….
Shuke Babani u lind më 20 maj 1930, në fshatin Pistull. Në fillim të viteve 30-të të shekullit të kaluar e në vazhdim ahengxhinjtë në fshatin Pistull vunë re një vajzë nëntë-dhjetëvjeҫe që i ndiqte e i dëgjonte me vemendje gjatë interpetimeve të këngëve të tyre zadrimore e më gjerë e që herë-herë këndonte me ta.U interesuan për të dhe mësuan se ajo quhej Shuke,e bija e Pjetër Markut,ndaj një ditë kryeahengxhiu i tha të atit : “Z.Pjetër,ju keni një vajzë të mrekullueshme, e cila më ka befasuar me zërin e saj si të bilbilit, meqë aq bukur i këndon këngët zadrimore e ato të zonave të tjera. Ajo do të bëhet një këngëtare e shquar. Mos e pengoni se ka talent të veҫantë për këngën….!” Ishte koha e një fanatizmi të paparë, ku vajzave s’u lejoheshin shume gjëra e aq më shumë që të këndonte para njerëzve, në vende të gjera publike. Prindërit s’e penguan vajzën të realizonte dëshirën e saj. Në moshën 17 vjeҫ, ajo për herë të parë nisi të këndojë këngët popullore zadrimore e më gjer në dasmat e gëzimet familjare në fshatin e saj e në fshatrat përreth, duke i habitur e duke i kënaqur njerëzit me zërin e bukur e të ëmbël.Tani ajo njihej si këngëtarja e parë në zonën e Vau Dejësit, duke thyer tabunë shekullore që vajzat të realizojnë dëshirat e veta edhe kur fanatizmi s’ia lejonte…Për fatin e saj të mirë edhe kur u martua në fshatin Shelqet,familja ku hyri nuse e në veҫanti i shoqi, Kolë Babani, s’e penguan nusen e re që të ndiqte dëshirën e vet, që të këndonte këngën popullore.

Në fillim të viteve 50-të të shekullit të kaluar nisën të krijoheshin grupet artistike në fshatrat e zones së Vau Dejësit. Në to u aktivizua dhe Shukja e cila e këndoi me shpirt këngën popullore zadrimore e më gjerë.Këndoi me instumentat popullore të zones, si : me ҫifteli, fyell apo zumare e më pas me instrumenta modernë : me firzamonikë, violinë e dajre.Një ndihmesë për këtë formacion ka dhënë muzikanti i talentuar Ndok Pistulli, i cili i dha një shtysë të mëtejshme Shukers për ta interpetuar këngën e bukur zadrimore…
Në fillim të vitit 1957 të gjitha rretheve iu erdhi një udhëzim i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës që të verifikonin në zonat e tyre talentet e shquara për këngëtarë e instrumentista,sepse do të përfaqësonin Shqipërinë në Festivalin Ndërkombëtar të Rinisë që do të zhvillohej në Moskë. Për t’i zbuluar talentet në zonën e Vau Dejësit erdhën Tonin Daija dhe Robert Prendushi. Gjatë përzgjedhjeve atyre u ra në sy talenti i veҫantë i Shuke Babanit e cila interpetoi shkëlqyeshëm këngën popullore zadrimore e më gjerë, ndaj biseduan me familjen Babani e me të shoqin,Kolën, dhe pasi mori aprovimin e tyre e futën në listën e atyre që do të përfaqësonin Shqipërinë në këtë festival madhështor botëror, në Moskë. Aty Shukja këndoi me pasion këngn e bukur zadrimore e më gjerë nëpër skenat e mëdha të Rusisë…
Pjesëmarrja në këtë festival ndërkombëtar do t’i mbesë në kujtesë gjatë gjithë jetës,sepse aty këndoi me shpirt, shumë bukur e natyrshëm këngën popullore zadrimore e me gjerë,duke i treguar botës kulturën e pasur e të larmishme të Shqpërisë nëpërmjet këtyre këngëve. Një here,kur ra fjala për pjesëmarrjen në këtë festival ,ajo u shpreh : ”Jam krenare që kam marrë pjesë në atë festival! S ’do ta harroi gjer sa të vdes…Këndova me zemër e me shpirt,se përfaqësoja vendin tim… “ Me këtë thënie ajo tregoi përgjegjësinë e madhe që kishte kur këndonte këngë popullore dhe njëkohësisht dashurinë ndaj atdheut që dëshironte t’i jepte gjithҫka të bukur e të përsosur…Një atdhetare, një patriote e flakët e vendit të saj që e ka manifestuar gjatë gjithë jetës së saj…
Përvoja e fituar nga ky festival, i hapi udhën e ndritur të dhjetra e dhjetra veprimtarive artistike në zonë,në skenat e Shkodrës e mjaft qyteteve të vendit.Më 1968 merr pjesë në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës. Në të gjitha këto veprimtari,ajo do të shkëlqejë e do të vlerësohet hera-herës me ҫmime të para e të dyta. Gjatë këtyre veprimtarive bashkëpunoi me muzikantët të shquar,por me respekt ajo kujton rolin e madh dhe ndihmesën e pakursyer të drejtuesit të këtyre veprimtarive, Z.Ndrekë Nikajt dhe të përgjegjësit të kino-klubit në zones e Vau Dejësit, Z.Gjovalin Gjonit.

“Për zërin e veҫantë,meliodioz,të ëmbël e të kthjelltë,-tregon rapsodi i talentuar Viktor Paloka,-atë e kanë krahasuar me zërin e të madhes Luҫie Miloti.” Edhe gjatë viteve 70-80-të të shekullit të kaluar tani, ndonëse në moshë, nënë e pesë fëmijëve (qe i rriti e i edukoi per se mbari.Te gjitheve iu dha arsimim te larte.), ajo hera-herë dhe këndonte, ju qëndronte pranë vajzave të reja që kishin hyrë në rrugën e bukur të artit, duke iu dhënë përvojën e madhe të saj në këtë drejtim. Artistet e reja e dëgjonin e respektoni shumë duke e quajtur me te drejte : *Nënë Shuke!*, se e tillë ishte ajo për to, se kishin ҫfarë mësonin nga ajo, por edhe pse ishte një zonjë-grua, një grua fisnike, punëtore, e dashur dhe e papërtuar për t’i ndihmuar e për t’u gjindur atyre ne cdo kohe e për gjithҫka. Kështu vazhdoi gjer më 1989, pra më se 35 vjet me këngë në gojë, në mjaft veprimtari artistike.
Në repertorin e këngëve të saj bëjnë pjesë më se 200 këngë. Ndër to shquhen këngët ; “Moj lulja e frashnit të bardhë”, “Rreth e rreth bahҫes iu solla”,”A moj delja rudë”, “Tre kandila ndez, asnjjë s’po bajnë dritë “, “Po qan ҫika buzë një shkambi”, “Mori molla sojnike”, këngët kur vishet dhëndëri, kur vjen nusja tek burri etj. Nga pesë fëmijët, veҫ vajza e saj, Luҫja, ka trasheguar dëshirën për të kënduar. Ajo ndoqi shkollën e muzikës “Prek Jakova” në Shkodër, u bë mësuese muzike, duke i rënë dhe firzamonikës e duke kënduar edhe vetë hera-herës me nxënësit e saj, duke zbuluar dhe talentet e reja. Nga duart e saja kanë dalë talente tek “Bilbilat e vegjël të këngës ” dhe në festivalet e këngës popullore për fëmijë…Po ashtu edhe mbesa e saj, Cuke Babani, psikologe e punonjëse për ndihmën sociale, në Bashkine e Vasu Dejësit ka trasheguar dëshirën për të kënduar e për ta interpetuar këngë e bukur popullore zadrimore, ashtu si gjyshja e saj,Shuke Babani…
Më 2009, drejtuesit e veprimtarive kulturore-artistike,në Bashkinë e Vau Dejësit, duke parë ndihmesën e madhe që ka dhënë për më se 35 vjet në interpetimin e këngës popullore zadrimore e më gjerë dhe si e para këngëtare,femër, në tërë zonën e Vau Dejësit, vendosi që ta nderonte me ndonjë medalje apo titull, por ajo s’arriti ta shihte këtë vlerësim e nderim që i bëhej si këngëtare e shquar. Tre ditë, pasi ndërroi jetë, i erdhi titulli “Mirënjohje”, dhënë nga Qendra e Veprimtarive Folklorike, në Ministrinë e Kulturës, me motivacion : ” Zonj.Shuke Babani, për kontributin e shquar në interpetimin e këngës folklorike popullore.”, Drejtor Z.Esat Ruka. Me këtë rast, e bija e saj, Luce Mhilli (Babani) tha : ” Dhënia e titullit “Mirënjohje”, nënës tonë, nga Qendra e Veprimtarive Folklorike, Tiranë, është vlerësim e nderim i gjithë veprimtarive artistike,që ka zhvilluar ajo ndër vite, si e para femër, që theu fanatimin shekullor për të kënduar me pasion këngën e bukur popullore zadrimore e më gjerë. Falenderojmë dhe Bashkinë e Vau Dejësit,që u kujtua ta nderonte nënën tonë, një grua te thjeshtë, të talentuar, por mjaft e emancipuar për kohën, që ngulmoi për të realizuar ëndrrën e dëshirën e saj, me një talent të lindur, që e përsosi gjatë gjithë jetës së vet. Njëkohësisht ky vlerësim është nderim dhe për ne bijtë e saj. E cili s’do të ishte krenar me një nënë të tillë?! Ju falenderoj, në emër të familjes Babani, të gjithëve ju që na e nderuat dhe e vlerësuat nënën tonë të dashur! Në gjithë zonën tonë atë e quajnë “Ikonë” e këngës popullore zadrimore e më gjerë…Një tjetër vlerësim i madh,që populli ua jep bijëve e bijave të tij,me kontribute të vecanta…”
Shtator,-2025



