Historia ndertimore e qytetit te Shkodres: Nga Inxhiniere Zenepe Dibra

HISTORI NDERTIMORE TE QYTETIT TE SHKODRES

Nga inxhiniere Zenepe Dibra


Shkodra mban një histori ndërtimore mbi 2400 vjeçare. Bile simbas kerkimeve dhe zbulimeve arkeologjike të ndërmarra nga një grup i përbashkët i arkeologëve shqiptaro-polak mendohet që ajo të jetë shumë më e vjetër. Gërmimet arkeologjike tregojnë se, kodra ku ngrihet Kalaja e Shkodrës është banuar së pari në periudhën e bronxit të hershëm, pra rreth 4000 vite më parë. Nuk ka akoma gjurmë të qarta të periudhave pasuese, deri në shek. 4 pr. K., kur zë fill lindja e qyteti antik të Shkodrës i cili përbëhej nga dy pjesë: qyteti i sipërm, pra kalaja e sotme e fortifikuar nga mure mbrojtëse dhe qyteti i poshtëm që shtrihej në këmbë të kodrës së kalasë. Specialistët polakë kanë qenë dhe në Mal të Zi dhe kanë vërtetuar atë që kryeqendra e parë ilire nuk është Kotorri, ashtu siç u është thënë atyre, por kështjella e Rozafës. Gjetjet arkeologjike të periudhës së bronzit janë të njëjta me ato të traditës e kulturës ilire, krejt e ndryshme nga ajo sllave, shprehen specialistët. Profesori polak Piotr Dyczek shton: “Ne jemi të sigurt dhe jo vetëm se kemi supozuar se këtu është qendra e periudhës Helenistike dhe jo vetëm gjatë sundimit të Gentit, por edhe me herët”.


Kalaja Rozafa është e hershme dhe viti i ndertimit të saj deri në gjendjen që asht sot asht e vështirë të përcaktohet e saktë por vetëm në bazë të këtyre gjetjeve arkeologjike. Por mbas Kalasë njerëzit në mungesë të një hapësire më të madhe janë ulur më poshtë dhe nga ku fillon ndertimi i qytetit për të vazhduar shekujsh pas shekujsh dhe vit pas viti deri aty ku sot shtrihet Shkodra. Po cila ishte banesa më e vjetër e Shkodrës? Është e vështirë për të përcaktuar ekzaktësisht se kush e ndërtoi i pari banesën në Shkodër që pas shpërnguljes nga lagjet e vjetra rrëzë kalasë do zinin vend në fushën e gjërë të qytetit të sotëm. Këtë pyetje ma kanë ba disa persona dhe nuk u kam dhënë një përgjigje të saktë . Pse ? Sepse mungon dokumentacioni, mungojnë shumë të dhëna dhe mungon edhe ajo që njerzit nuk e kanë menduar se vendosja e një pllake kudo në banesë , edhe në një qoshe ku të shënohet viti i ndërtimit, pronari dhe kush e ndërtoi, nuk ka qenë dhe nuk asht e vështirë. Kështu për shumë banesa civile apo fetare (këto të fundit e kanë më të saktë vitin) asht e vështirë me gjetë vitin e ndertimit pa le kush e ndertoi. duke humbur kështu memorjen historike ndërtimore të qytetit. Nga publiku njihen pak ose aspak edhe datat e ndertimve relativisht me te reja si Teatri Migjeni, Kinema Republika, etj.
Disa shtëpi e kanë pasur si traditë që në derën e oborrit, apo në murin e fasadës kryesore të vinin në pllaka guri datat e ndërtimit, por jo të gjithë e kanë aplikuar këtë datë duke humbur edhe memorja historike e ndërtimit të këtyre banesave. Disa të tjerë i përcaktojnë vitet e ndërtimit të banesës së tyre me afërsi duke thënë se filan shtëpi asht 200vjeçare apo 300 vjeçare duke mos pasur asnjë dokument. Por disa të tjerë mund të përcaktohen edhe nga një referim i veçantë P.sh. duke ditur se xhamija e Tophanës ka datën e krijimit 1617, tregon se aty më përpara kanë qenë të ndërtuara disa banesa. Me dokumente historike jepet që Anton Duoda, ndërtoi për herë të parë një shtëpi në Tophanë; banesa e Llazanëve në lagjen Garuc, mban daten në një derë të dhomave 1721; banesa e Vëllezërve Kakarriqi (ish Shtëpia e pionierit) mban datën 1741, ku sipas Gjush Sheldisë kjo datë është gjetur në një kollonë guri para se shtëpia të modernizohej, banesa e Gjok Muzhanit në derën e oborrit mbante daten 1791, banesa e Nush Bushatit ka një pllakë ku është shënuar viti 1806, po kështu në banesën e Kol Sumës, në derë të oborrit ka patur datën 1839, banesa e Frano Sumës (e blerë më vonë nga Dabërdakët) në qendër të qytetit ka patur një pllakë ku është shënuar data 1892. Banesa e Gjylëve te Çinari i Hoxhë dheut, mban daten 1893,. Po kështu vjetërsi kanë edhe banesat e Luigj e Filip Muzhanit, Filip Shirokës, Bushatlinjëve, Çobejve, Rrepishtëve, Boriçëve, Llujejve, Luigj Gurakuqit, etj. Kështu rezulton se ndërtesa popullore në qytetin e sotëm të Shkodrës ka filluar të ndërtohet shumë më përpara kalimit të aparatit administrativ nga Kalaja në qëndrën e qytetit e njohur afërsisht rreth v. 1865, por që mbas këtij viti është intensifikuar në drejtim të zgjerimit të një qyteti i cili do bëhej ndër më të mëdhejtë e vendit.
Objektet fetare i kanë më të përcaktuara datat e ndertimit qoftë në muret apo edhe në dokumenta . P.sh. Xhamia e Plumbit, ky monument i trashëgimisë fetare dhe ndërtimore i dihet saktësisht viti i ndërtimit sepse ka patur në murin e hyrjes së nderteses daten 1773, që asht ndertuar me inisiativen e Mehmet Pashë Bushatit bile asht shkruar edhe kush e ka rikonstruktuar Mahmut Berberi. Xhamia e parë ka qenë ajo e Hynqarit (të Selvisë), rrëzë kalasë Rozafat më 1478-79, xhamia në lagjen Ndocaj, e vitit 1722-1723, xhamia e Kara Hasejve, në tregun e vjetër, e vitit 1867-1868, etej. si dhe disa xhami nga të cilat kanë mbetur gure varresh me datë, si në xhaminë e Rusit të Vogël, viti 1850-1851, xhamia e Dudasit, viti 1800-1801, xhamia e Zdrales, viti 1792-1793
Kisha e Madhe me dokumentacion është e njohur se inagurimi i fillimit të punimeve të saj ka qenë në janarin e vitit 1858 dhe inaugurimi i përfundimit viti 1865. Kisha françeskane hedh themelet e Kuvendit më 1875, kurse të Kishës më 1878, Kisha e Arrës Madhe filloi më 1914 dhe përfundoi më 1934, etj.


Si REKOMANDIM, mendoj që për të gjitha ndërtesat që ndërtohen sot, qoftë edhe një vilë e thjeshtë duhet të vihet një pllakë, në fasaden kryesore apo edhe anësore, ku të shënohet viti i ndërtimit, pronari, projektuesi dhe zbatuesi. Kështu një ndertesë e re sot mbas 100 vitesh do jetë e vjetër ama viti i ndërtimit do dihet, për pronarin s ka rëndësi se ndertesat shiten e blihen ama kush e projektoi dhe e zbatoi ka një rëndësi të veçantë për historinë ndërtimore të qytetit të Shkodrës por edhe qyteteve tjera . Kjo nuk kushton aspak por vetem kujdes. Është e pafalshme sot që kur flitet për një ndertesë të thuhet ashtu si asht dhanë për vitet e një personi që unë jam kaq vjeç se kur ka ra zerzelja në Shkodër, kam qenë kaq vjeç. E ne kujt do i referohemi vjetërsisë së ndertesave sot? Apo të themi që unë e kam ndertuar këtë vilë mbas përmbytjeve të 2011, apo mbas Covidit. Këtë duhet ta kenë parasysh gjithë pronarët që ndertojnë por edhe ingjinierët projektues e zbatues
Sot po postoj për ndertesen që gjatë 1944-1990 ishte Shtëpia e Kulturës, sepse ka edhe veçanti se kjo ka të dokumentuar pronarin e parë, projektuesin e zbatuesin . Pronari ishte Filip Parruca, projekti i inxhinierit francez A. Briotit, (në atë kohë ishte inxhinier i prefekturës Shkodër i emë ruar nga qeveria turke). Pavarësisht se nuk dihet data e saktë e ndërtimit të kësaj banese duke parë levizjen e F. Prrucës drejt Italisë dhe qëndrimin e ing. Briotit në Shkodër mendohet se kjo ndërtesë mund të jetë ndërtuar mbas gjysmës së dytë të shek.XIX. Planimetria e saj shtrihej e tillë ku me anë të një salloni bëhet shpërndarje në dhomat për katëse njësoj si në katin e përdhe ashtu edhe në të parin. Hyrja këtu është me një harkadë treshe, jo me kollona me seksion katror por me seksion rrethor dhe me kapitele. Në katin përdhe i cili nuk ka ngritje nga toka, janë dhomat e kuzhinës, të ndejes, nyja sa nitare ambiente këto që përsëriten në katin e parë por me destinacion tjetër (zakonisht dhomat e fjetjes, të pritjes). Një gjë që e dalon këtë banesë nga ato të ndërtuara deri në atë kohë, është vendosja e dy skulpturave në dy harkadat e katit të parë të pronarit të banesës Filip Parrucës dhe inxhinierit projektues Agustin Briotit.

Po kush ishin këto personalitete?


FILIP Parruca ( shek.XIX)
Një nga tregtarët e shquar të Shkodrës. Kishte një vizion modern për zhvillimin industrial të qytetit, duke promovuar shumë ide novatore dhe bashkëkohore për kohën. Marrëdhëniet tregtare kryesisht i zhvillonte me Venedikun që më 1851 duke sjellë mallra kryesisht në Shkodër, ku kishte vilën e famshme të Parrucajve. Duke parë dëmet që Drini i sillte Shkodrës, mori inisiativën, rreth vitit 1870 të kanalizonte ujërat e tij dhe të bënte një bonifikim të përgjithshëm të fushës së Bunës. Mblodhi rreth vetes një grup pasanikësh shkodranë dhe në emër të tyre, i shkruan një firme franceze të specializuar në bonifikime. Për projektin firma kërkoi 250 napolona ar, të cilat tregtari i ndershëm i pagoi nga arka e tij, në mirëbesim dhe me bindjen se edhe të tjerët do të derdhnin shumë shpejt pjesën që u takonte. Si morën paratë, francezët dërguan në Shkodër, një inxhinjer, Vigentini. Ky pas dy-tre muajsh arriti në konkluzionin se Drini duhej ndarë nga Buna dhe të kishte një shtrat më vete. Por në këtë moment hynë në lojë interesat e fuqive të mëdha. Porta e lartë dërgoi me ngut në Shkodër inxhinjer Menozin, një ebre austriak i vendosur prej kohësh në Stamboll, që mendonte se duhej ndërtuar një pritë në anë të detit, e cila të mos lejonte hyrjen e rërës në shtratin e Bunës. Sipas tij, vetëm kështu edhe Drini edhe Buna do të derdheshin lirshëm në det dhe nuk kishin përse të dilnin më nga shtrati. Puna shkoi në një “tender” të bashkisë. Fitoi oferta më e lirë e Menozit, 26 mijë franga ari kundrejt 35 të Vigentinit. Puna nisi me vrull por pas tre muajsh, Menozi u mbyt në mënyrë enigmatike në lumë dhe punimet u ndërprenë. Filipi u kërkoi tregtarëve të paguanin pjesën e tyre për projektin francez, por ato nuk u përgjigjen dhe ai atëherë i zhgënjyer u largua nga Shkodra, ku pasardhësit e tij kanë jetuar deri vonë në Udine, në Itali. F. Parruca ishte inisiatori i sjelljes më 1860 i ing. Briotit në Shkodër, për ndërtimin e hekurudhës Shkodër –Shkup. Ai solli makineri moderne (flandrat) për përpunimin dhe endjen e mëndafshit, solli pjesën e plumbit për kombanoren e katedrales së Shkodrës, ndër të parët që solli pianon etj. Mbasi qe larguar nga Shkodra për në Itali, F. P. ngriti dy fabrika për përpunimin e mëndafshit në Milano dhe Ankona, të cilat i qenë shkatërruar nga bombardimet ajrore, gjatë Luftës së parë Botërore. Një rrugë në Shkodër mban emrin e tij.

Ing.Agustin Brioti (-1923) – kryeinxhinier francez, i Prefekturës së Shkodrës, në qeverinë turke. Ka projektuar dhe zbatuar ndërtesën e Bashkisë, Kishën e Fretënve, Sahatin e Inglizit, etj. sistemin kullues të Shkodrës, ish Shtëpinë e Kulturës (ndërtesa private e F. Parrucës), Urën e Bunës, të Bahçallekut, objekte të pashallekut në rrugen e Parrucës, dhe shumë vepra të tjera private gjatë kohës që punoi në Shkodër. Shumë me interes është edhe një punim shkencor, i bërë në vitin 1910, ku është përshkruar me hollësi hidrografia e Shkodrës si dhe projektet e hartuara nga 1882 dhe deri më 1910 për sistemimin e ujërave të Bunës, Drinit dhe Kirit, nga qeveria turke. Vdiq dhe me dëshirë e tij u varros në varrezat e Rmajt, Shkodër.

Foto1 Banesa e Filip Parrucës.(Foto K.Marubi, 1929). Kjo ndertesë pastaj blihet nga italianët dhe bëhet Konsullatë italiane, më 1947-1990 Shtëpi kulture, Sot shtëpia e Italise

Foto 2 Ndertesa sot

Foto 3 Skulptura, në formë të bazorelievit në dy kollonat e hyrjes kryesore të konsullatës italiane (ish banesa e Filip Parrucës), projekt i inxhinierit francez A.Brioti; bazorelievi i parë i pronarit Filip Parruca dhe bazorelievi i dytë i projektuar ing. A. Brioti

Foto 4 Fotografia e personazhit të shquar të jetës ekonomike, financiare dhe politike të Shkodrës së shekullit XIX, Filip Parruca që u gjet në Arkivën e Bibliotekës së Stambollit, në koleksionin e Sulltan Abdyl Hamidit II. (Nxjerrë në FB nga Romeo Gurakuqi, 6 korrik 2020) dhe Agustin Brioti

Lajme te tjera

error: Content is protected !!