Një grup studentësh të gazetarisë nga Universiteti i Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” kanë zhvilluar një vizitë studimore në ambientet e televizionit publik grek ERT3, si pjesë e programit të mbështetur nga OSBE Presence in Albania.
Vizita kishte për qëllim që studentët të njiheshin nga afër me mënyrën se si funksionon një medium publik ndërkombëtar, proceset e përgatitjes së lajmeve dhe emisioneve, si edhe me standardet e etikës dhe profesionalizmit në gazetari.
Gazetari shqiptar Aleksandër Marku, i cili prej vitesh punon në këtë televizion ndërkombëtar, i ka shoqëruar studentët gjatë gjithë vizitës, duke i prezantuar me zyrat redaksionale, newsroom-in, studiot e transmetimit direkt, dhomat e montazhit dhe hapësirat e tjera të punës.
Në një postim në rrjetet sociale, Marku ka ndarë foto nga momentet e vizitës dhe ka vlerësuar interesin dhe pasionin e studentëve për profesionin e gazetarisë.
“Një surprizë e këndshme ishte vizita e një grupi studentësh të gazetarisë nga universitetet e Tiranës dhe Shkodrës në mjediset e ERT3, si pjesë e programit të OSCE Presence in Albania. I shoqëruam kudo — nga zyrat, tek newsroom-i, në studiot ku transmetohej drejtpërdrejt emisioni ‘Perimetër’, në dhomat e montazhit dhe në ambientet e tjera. Ata kishin shumë pyetje në lidhje me funksionimin e një mediumi publik, për kushtet e punës, numrin e punonjësve dhe etikën. Askush nuk e fshihte pasionin e tij për profesionin e gazetarisë”, – shkruan Marku.
ERT3 është një nga televizionet më të mëdha dhe me ndikim në Evropë, pjesë e rrjetit publik grek ERT, që transmeton programe informative, kulturore dhe dokumentare për audiencë ndërkombëtare.
Kjo vizitë u konsiderua një përvojë e vlefshme praktike për studentët, duke i ndihmuar ata të kuptojnë më mirë sfidat dhe përgjegjësitë që mbart puna në një televizion publik ndërkombëtar.



