Trishtim dhe dhimbje e thellë ka përfshirë shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija” në Postribë, pas ndarjes nga jeta të nxënëses së tyre të dashur, Albjonës.
Në një njoftim të bërë publik nga shkolla, mësuesit dhe nxënësit shprehen të tronditur për humbjen e vajzës së re, e cila për një kohë të gjatë kishte luftuar me sëmundjen.
“Me keqardhje të madhe morëm vesh prej familjes për largimin tënd shumë të parakohshëm nga kjo jetë, të cilën aq shumë e deshe dhe për të cilën aq shumë luftove,” – shkruan shkolla në një mesazh prekës.
Në bankën ku Albjona ulej çdo ditë, sot ndodhet një lule e vendosur nga shokët dhe shoqet e klasës 8-A, në shenjë kujtimi për buzëqeshjen dhe mirësinë e saj.
“E sot Albjona nuk është më dhe banka e saj do të jetë bosh me një lule mbi të… Do të na mungosh shumë, Albjona! Na le një dhimbje të madhe dhe nuk do të të harrojmë kurrë!” – thuhet në mesazhin e shkollës.
Ngushëllimet për familjen kanë qenë të shumta, ndërsa e gjithë Postriba dhe komuniteti arsimor janë të tronditur nga kjo humbje e parakohshme.



