Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mikpritjes në Forumin e Parë të Investimeve BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Tiranë, i dha tonin një vizioni të ri për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe rajonit.
Në prani të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Rama e nisi me një ftesë të qartë për ta kthyer këtë forum në një traditë të përvitshme,
“Një konferencë që jemi të gatshëm ta kthejmë në një mbledhje të përvitshme, me një program gjithnjë e më ambicioz.”
Kryeministri Edi Rama shkëmbeu edhe batuta me presidenten e KE, Ursula Von der Leyen, së cilës i tha se në Tiranë do të gjejë më shumë diell, ushqim të mirë dhe më pak mërzi se në flluskën e saj në Bruksel.
“Faleminderit Ursula që u ktheve në Ballkanin Perëndimor për të na sjellë edhe më shumë lajme të mira, edhe më shumë detyra shtëpie, por edhe për të shijuar më shumë diellin, ushqim më të mirë dhe më pak mërzi se sa në flluskën tënde të të BE në Bruksel. Dua që ti bëj një falënderim të veçantë skuadrës suaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për ta bërë realitet këtë gjë dhe sidomos drejtorit tuaj të përgjithshëm që ndau me ne mendimet e veta të mprehta për dobinë e një konference të tillë investimesh mes BE dhe BP. Konferencë që jemi të gatshëm ta kthejmë në një mbledhje të përvitshme, në një program gjithnjë e më ambicioz”, tha Rama.
Por përtej batutave, Rama artikuloi një mesazh të fuqishëm politik dhe ekonomik mbi rolin e Ballkanit Perëndimor në të ardhmen e Evropës duke theksuar se “Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasmë i Europës dhe as lagjja e dorës së dytë. Por është horizonti i saj i ri – një horizont jo prej murresh dhe kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate.”
Ai e cilësoi rajonin si një vend ku Evropa mund të rigjejë vetveten se “Horizonti i energjisë dhe imagjinatës ku Europa mund të zbulojë oreksin e saj, dashurinë për jetën, paqen dhe të bërit bashkë.”
Rama theksoi se ky rajon, shpesh i etiketuar si “fuçia e barutit” e Evropës, po rritet dy herë më shpejt se mesatarja e BE-së dhe ka potencialin për t’u kthyer në një laborator të së ardhmes.
“Nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar që Ballkani Perëndimor mund të bëhet laboratori i Evropës, për të testuar dhe për të provuar të ardhmen. Le të themi troç: Europa nuk e ka luksin të varet nga ajo që nuk e kontrollon, dhe ne të Ballkanit Perëndimor nuk e kemi luksin që të mbetemi në rastin më të mirë potencial. Duhet ta kthejmë potencialin në qëllim dhe ta kthejmë këtë rajon në zonën e transformimit të Evropës.”
Duke folur për procesin e integrimit, Rama solli një krahasim letrar me veprën “Duke pritur Godonë” të Samuel Beckett se “Pritja për BE-në u bë thuajse sinonim i pritjes për ‘Godon’. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut u bënë rimishërimi i Vladimir dhe Estragonit, të dënuar të presin së bashku.”
Megjithatë, ai nënvizoi se vendet nuk kanë ndaluar së ëndërruari dhe punuari për momentin e ndryshimit:
Ndërkohë, Rama tha se aktualisht po përvijohet me një hartë të re jo në letër, por në hapin tonë të ardhjes më pranë BE-së me fluksin e turistëve dhe investimeve europiane.
“Ne nuk kërkojmë bamirësi, por vizion për të krijuar qëndresë. Ne e dimë vendin tonë, nuk po kërkojmë një vend falas në tryezë, por duam të integrohemi.”
Rama e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një vend ku idetë mund të realizohen më shpejt se kudo tjetër në kontinent se “Horizonti për mua nuk është kur zhytesh në pirgje letrash dhe rezistenca nuk është slogan, por një nevojë e përditshme që përmbushet nga përkushtimi ndaj Europës. Një vend ku BE dhe rajoni i saj nuk takohen për të ardhmen, por për ta bërë të ardhmen realitet”.


