Shkodër/ Ndërhyrja e shpejtë e Policisë parandalon ngjarje të mundshme kriminale në Trush
Një reagim i menjëhershëm i forcave të Policisë së Shkodrës ka parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale në fshatin Trush, ku tre persona kishin qëlluar me armë zjarri dhe armë gjahu në ajër, për të kanosur fqinjin e tyre.
Pas njoftimit të marrë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizuan menjëherë veprimet operacionale për kapjen e autorëve.
Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit Çekë Malocaj, 56 vjeç, dhe Daniel Malocaj, 22 vjeç, (babë e bir), banues në fshatin Trush. Gjithashtu, u shpall në kërkim djali tjetër i 56-vjeçarit, E. M., 27 vjeç.
Nga hetimet paraprake dyshohet se tre shtetasit kanë qëlluar me armë zjarri dhe me dy armë gjahu (çifte), në ajër, pranë banesës së tyre, për të kanosur fqinjin P. N., për motive të dobëta.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi 2 armë gjahu çifte, të cilat ishin me leje, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e armës së zjarrit që dyshohet të jetë përdorur në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


