Shkodër/ Burri denoncon zhdukjen e gruas ne Bushat, disa arrestime dhe procedime për shkelje ligjore në qark

Një 41-vjeçar nga fshati Bushat, ka kallëzuar në Policinë e Shkodrës zhdukjen e bashkëshortes së tij. Sipas njoftimit zyrtar, A. P., 41 vjeç, ka raportuar se më datë 04.10.2025, bashkëshortja e tij, E. P., 35 vjeçe, është larguar nga banesa dhe nuk është kthyer më. Shërbimet e Policisë po punojnë për gjetjen e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut Shkodër janë kryer edhe disa veprime të tjera hetimore e procedurale:

Në Malësinë e Madhe, është arrestuar shtetasi Ç. B., 42 vjeç, banues në fshatin Vrakë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka tentuar të dalë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Po në këtë bashki, është proceduar penalisht E. G., 36 vjeç, banues në fshatin Bogë, pasi u kap duke transportuar 3 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore është sekuestruar si provë materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasin E. H., 35 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Mashtrimi”. Hetimet treguan se ai kishte blerë një numër telefoni duke falsifikuar nënshkrimin e një shtetaseje, për ta përdorur më pas për hapjen e një llogarie në rrjete sociale. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Lezhë për një tjetër vepër penale.

Në lidhje me këtë rast është proceduar edhe M. L., 20 vjeçe, banuese në Shkodër, punonjëse e kompanisë telefonike, e cila kishte regjistruar numrin në emër të personit të falsifikuar. Për rastin është bashkëpunuar me emisionin investigativ “Piranjat”.

Ndërsa specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për Z. Gj., 77 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, i cili u kap duke drejtuar motomjet pa leje drejtimi.

Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!