Shkodër/ Arrestime dhe procedime për shkelje ligjore në Vau Dejës, Velipojë dhe Shkodër
Policia e Shkodrës ka vijuar me veprimet hetimore dhe kontrollet në disa zona të qarkut, duke arrestuar disa shtetas dhe duke nisur procedime penale për shkelje të ndryshme të ligjit.
Në Vau Dejës, specialistët për Hetimin e Krimeve arrestuan shtetasin J. M., 35 vjeç, banues në Melgushë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në Shkodër, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin J. K., 51 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Po ashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit:
- Rr. Rr., 59 vjeç, banues në fshatin Gajtan;
- M. R., 63 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri,
të cilët u kapën duke drejtuar motomjetet pa leje drejtimi.
Ndërkohë, në Velipojë, specialistët për Hetimin e Krimeve referuan materialet në Prokurori për shtetasin Gj. P., 60 vjeç, banues në fshatin Pulaj Plazh, pasi ka kallëzuar në mënyrë të rreme se një tjetër shtetas, P. Q., 65 vjeç, po i shfrytëzonte tokën në pronësinë e tij, në fshatin Reç.
Materialet procedurale për të gjitha rastet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.


