Arsenal lufte në mes të Tiranës. 23 armë, 15 mijë fishekë e uniforma policie

Një arsenal i vërtetë armësh është sekuestruar nga Policia e Tiranës në zonën e rrugës “Myslym Shyri”. Brenda një furgoni, uniformat blu kanë zbuluar 23 armë zjarri të llojeve të ndryshme, 15 mijë fishekë, pranga, uniforma policie dhe pajisje të sofistikuara shpërthyese e gjurmuese.

Në pranga është vënë 34-vjeçari Eugert Sino, ndërsa në kërkim janë shpallur dy persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në këtë trafik armësh.

Sipas njoftimit zyrtar, armët ishin fshehur në kuti brenda furgonit. Konkretisht janë sekuestruar:

  • 12 pistoleta të markave “Beretta”, “Glock”, “Rex Delta”, “Ruger-57” dhe “Tanfoglio”;
  • 6 armë automatike;
  • 5 armë me tytë të gjatë me shënjestër optike (snajperë);
  • 1 silenciator;
  • 17 krehra armësh;
  • pjesë të ndryshme armësh;
  • 15 000 fishekë;
  • 17 kuti me pranga;
  • 12 celularë;
  • pajisje për shpërthime në distancë dhe GPS gjurmues;
  • 3 komplete uniformash policie;
  • pajisje për bllokimin e valëve dhe për numërimin e kartëmonedhave.

Sipas burimeve hetimore, arsenali dyshohet se është trafikuar nga Kosova dhe i përket një grupi kriminal me bazë në Tiranë, Laç dhe Burrel, që planifikonte ta përdorte për ngjarje të rënda kriminale.

Gazetari Sokol Dema raporton se hetuesit kanë zbuluar edhe bazën e grupit, po në zonën e “Myslym Shyrit”, ku armët ruheshin përpara transportit.

I arrestuari, Eugert Sino, rezulton me precedent penalë të mëparshëm, ndërsa policia ka nisur një hetim të gjerë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet janë referuar në Prokurori për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Lajme te tjera

error: Content is protected !!