Shkodra po ecën me hapa të qëndrueshëm drejt modernizimit të transportit publik. Kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, Edmond Ndou, ka bërë të ditur se është zhvilluar takimi i tretë i projektit ndërkombëtar SMARTMOBAIR, një nismë e financuar nga Programi Interreg ADRION dhe Bashkimi Europian, që synon zhvillimin e transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm në rajonin Adriatik-Jonian.
Ky projekt po zbatohet nga Këshilli i Qarkut Shkodër, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Transportit, Bashkinë Shkodër dhe aktorë të tjerë lokalë. Gjatë fazës aktuale po testohen zgjidhje digjitale për monitorimin e trafikut dhe përmirësimin e shërbimeve të transportit publik urban në qytet.
“Sot Shkodra po hedh hapa konkretë drejt një modeli modern, efikas dhe miqësor me mjedisin për lëvizjen urbane,” – u shpreh Ndou, duke falënderuar ekspertët, institucionet dhe operatorët e transportit për kontributin e dhënë në këtë proces.
Ky projekt pritet të sjellë një përmirësim të ndjeshëm në cilësinë e transportit publik dhe menaxhimin e trafikut në qytet, duke e bërë Shkodrën një model rajonal për mobilitetin e qëndrueshëm.






