3 shtepi bari ne Hot te M.Madhe / Gjykata liron 4 punonjesit e OSHEE

Katër punonjës të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në Malësinë e Madhe janë liruar nga paraburgimi, pasi Gjykata e Shkodrës vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “detyrim paraqitje”.

Të arrestuarit, Lodovik Vulaj, Xhuljano Çeraj, Adil Selmanaj dhe drejtuesi lokal i OSHEE-së, Gëzim Hoxha, akuzoheshin për bashkëpunim në lidhjen e energjisë elektrike për tre ambiente që shërbenin si “shtëpi bari” në zonën e Hotit.

Sipas burimeve nga hetimi, Gëzim Hoxha është liruar menjëherë pas arrestimit, me urdhër të prokurorisë, ndërsa tre punonjësit e tjerë u paraqitën në seancën gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Shkodër. Prokuroria kishte kërkuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, por gjykata e refuzoi, duke vendosur një masë më të butë — “detyrim paraqitje”, që mundësoi lirimin e menjëhershëm të tyre.

Katër punonjësit e OSHEE-së ishin arrestuar disa ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Neonët”, që çoi në zbulimin e tre ambienteve të përshtatura për kultivimin e kanabisit me ndihmën e llambave dhe pajisjeve elektrike.

Në të njëjtin operacion, policia arrestoi edhe Lazër Pepaj dhe Sandër Pepaj, ndërsa Kristjan Pepaj u shpall në kërkim. Këta të fundit dyshohen si organizatorë të kultivimit të lëndës narkotike dhe do të vijojnë të qëndrojnë në burg, pasi gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura, policia sekuestroi 1110 bimë të dyshuara kanabis, rreth 1.8 kilogramë të kësaj lënde në formë boçe, si dhe një sasi të madhe pajisjesh elektrike të përdorura për kultivim: 300 llamba, 22 aspiratorë, 35 ventilatorë, 11 panele neoni, 22 filtra ajri dhe 217 inverterë.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni “Neonët” është pjesë e një plani të gjerë për goditjen e kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, bazuar në informacione operative që çuan në zbulimin e këtyre “shtëpive bari” në Malësinë e Madhe.

Home » Kronike » 3 shtepi bari ne Hot te M.Madhe / Gjykata liron 4 punonjesit e OSHEE

Lajme te tjera

error: Content is protected !!