Pas Shëngjinit, edhe zona e Ishull-Lezhës po zbaton modelin e ri të menaxhimit të mbetjeve, një praktikë që ka rezultuar efikase vitet e fundit dhe që synon të përmirësojë cilësinë e mjedisit dhe shërbimin për banorët.
Sipas skemës së re, banorët dhe bizneset do të hedhin mbetjet në një orar të përcaktuar dhe në një vend të dakordësuar, vetëm me qese, një herë çdo tre ditë. Qëllimi është të reduktohet grumbullimi i mbetjeve në rrugë, të rritet pastërtia dhe të krijohet një sistem më i rregullt dhe i kontrolluar.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se ky është vetëm hapi i parë, pasi modeli i ri pritet të shtrihet në të gjithë territorin e Lezhës në mënyrë të fazuar.
“Një ambient i pastër është detyrë e secilit prej nesh. Është shëndet, kulturë dhe respekt për jetën në komunitet,” theksojnë strukturat përgjegjëse, duke nënvizuar se nisma synon të krijojë standarde të reja në menaxhimin e mbetjeve urbane.
Iniciativa konsiderohet si fillimi i një qasjeje të re për një mjedis më të pastër dhe një cilësi më të mirë jetese për banorët e Lezhës. marre nga Lezhapress


