Majlinda Angoni largohet pas 5 vitesh si prefekte: “Më e madhja pasuri që marr me vete, janë njerëzit”

Majlinda Angoni mbyll detyrën si Prefekte e Qarkut Shkodër pas pesë viteve e gjysmë

Pas më shumë se pesë viteve në krye të institucionit të Prefektit të Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni ka përfunduar sot zyrtarisht detyrën e saj.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një mesazhi publik në rrjetet sociale, ku falënderon të gjithë bashkëpunëtorët, institucionet dhe qytetarët për mbështetjen dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe.

Në mesazhin e saj, Angoni thekson se puna si përfaqësuese e qeverisë në qark ka qenë një nder dhe përgjegjësi e madhe, duke e cilësuar Shkodrën si një “qark që përfaqëson shpirtin, historinë dhe kulturën shqiptare”.

Ajo nënvizon bashkëpunimin me pushtetin vendor, përballimin e emergjencave civile, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social, si dhe angazhimin për një administratë më të hapur ndaj qytetarëve.

Në përfundim të statusit, ish-prefektja i uron suksese pasardhëses së saj në këtë post, Holta Duda, duke u shprehur e bindur se “puna e mirë do të vijojë me të njëjtin ritëm e përgjegjësi ndaj qytetarëve”.

Më poshtë, statusi i plotë i Majlinda Angonit:

Miq, të rinj dhe të vjetër,

Prej më shumë se pesë vitesh e gjysmë pune në cilësinë e Prefektit të Qarkut Shkodër, e përmbyll këtë detyrë me respekt, mirënjohje dhe konsideratë të veçantë për secilin prej jush, për bashkëpunimin e frytshëm që kemi ndarë sëbashku.

Gjatë këtyre pesë viteve si Prefekte e Qarkut Shkodër, kam pasur nderin dhe përgjegjësinë të punoj për një qark që përfaqëson shpirtin, historinë dhe kulturën shqiptare.

Ka qenë një rrugëtim me energji të mira, sfidues pune, lodhjesh, përpjekjesh, emocionesh dhe përvojash të vlefshme që mbeten tek unë të paharruara, por edhe i mbushur me shumë arritje që i kemi ndâ bashkarisht me mirëkuptim dhe përkushtim ndaj interesit publik.

Kam parë e takuar në këto vite njerëz me zemër të madhe në të gjithë qarkun, njerëz këmbëngulës, punëtorë, të përulur, njerëz të thjeshtë që e duan tokën ku kanë lindur, që e ruajnë me dashuri dhe fanatizëm trashëgiminë dhe rrënjët nga vijnë.

Kam mësuar shumë nga qytetarët e këtij qarku, nga dashuria për vendin dhe nga vullneti për të ecur përpara, pavarësisht vështirësive.

Kam mësuar nga të gjithë, nga gjithkush që ishte me mua në këtë rrugëtim. Kjo është ndoshta pasuria më e madhe që marr me vete.

Gjatë kësaj periudhe kemi punuar me vendosmëri për forcimin e bashkëpunimit institucional, për rritjen e efikasitetit të shërbimeve publike, për menaxhimin e situatave emergjente me përgjegjësi dhe transparencë, si dhe për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe social të qarkut.

Kemi mbështetur bashkitë në projekte të rëndësishme infrastrukturore, kemi forcuar rolin e institucioneve vendore dhe kemi punuar për të afruar administratën me qytetarët, duke vendosur dialogun dhe respektin si themel të çdo vendimmarrjeje.

Në këto vite kemi përballuar së bashku situata të vështira nga përmbytjet që kanë prekur komunitetin tonë, te zjarret që kërcënuan pyjet, shtëpitë dhe jetët e njerëzve, por kemi parë edhe sesi ky qark është rijetëzuar falë turizmit, shërbimeve dhe investimeve duke u kthyer në një pol të ri zhvillimi.

Në çdo rast, ajo që më ka motivuar më shumë ka qenë forca, solidariteti, qetësia dhe bashkëpunimi i njerëzve të tij.

Qarku i Shkodrës ka treguar se din të ngrihet mbi çdo vështirësi me dinjitet dhe kurajo.

Gjatë kësaj kohe, kemi arritur të forcojmë më tej bashkëpunimin ndërmjet partnerëve, të zhvillojmë kapacitetet e burimeve njerëzore, mbështetjen në infrastrukturën logjistike dhe koordinimin e emergjencave civile përmes asistencës së Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile në programet dyvjeçare IPA që implementuam përkatësisht programet: “Katastrofat nuk njohin kufij” dhe “North Floods Albania”, si dhe projekte të tjera me donatorë të huaj në bashkëpunim me GIZ, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, UNDP etj.

Kemi punuar për të bërë qeverisjen më të hapur, për të mbështetur njësitë vendore, duke kontribuar në çdo nismë, iniciativë apo kauzë me karakter social në shërbim të komunitetit, të sigurojmë reagim më të shpejtë e më efikas ndaj çdo situate, duke angazhuar të gjitha strukturat operacionale, me të gjithë kapacitetet e tyre dhe në gatishmëri të plotë, për t’u përgjigjur situatave në terren, për të siguruar që institucionet të jenë pranë qytetarëve, duke ofruar shërbime të mira dhe të dobishme.

Në këtë udhëtim nuk kam qenë vetëm.

Sot, ju them F A L E M I N D E R I T me përulje;

Stafit të palodhur të Prefekturës së Qarkut Shkodër, që çdo ditë kanë treguar përkushtim dhe profesionalizëm;

Stafin e Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe besimin e dhënë në këtë proces;

Kryetarëve të bashkive të Qarkut Shkodër, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkushtimin e tyre në shërbim të komuniteteve;

Drejtuesve vendor të institucioneve të qarkut, për kontributin e vyer dhe përkushtimin në realizimin e detyrave publike;

Qytetarëve të Bashkisë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, për besimin, komunikimin e hapur dhe mbështetjen. Ju jeni arsyeja pse kjo detyrë ka pasur kuptim.

Heronjve të ajrit dhe të tokës, të angazhuar maksimalisht për izolimin e zjarreve dhe operacionet e evakuimeve në situatat më të vështira në pesë bashkitë e qarkut;

Dhjetëra trupave të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, efektivëve të Forcave të Armatosura, punonjësve bashkiakë, forcave vullnetare, punonjësve të Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe shërbimeve shëndetësore, për punën e palodhur në mbështetjen e banorëve, përballë përmbytjeve dhe zjarreve.

Të gjithë këta punojnë pa pushim për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, duke treguar kurajë, përkushtim dhe solidaritet.

Mediave dhe shoqërisë civile, secili prej jush ka dhënë dhe jep një kontribut të çmuar për ta bërë Shkodrën më të sigurt, më të qëndrueshme dhe më të zhvilluar.

Shkodra për mua ka qenë dhe mbetet shumë më tepër se një detyrë; është një ndjenjë përkatësie, një frymë qytetarie dhe një shembull i forcës shpirtërore të njerëzve të saj.

Largohem me ndjenjën e plotësisë dhe me bindjen se kemi lënë pas një model të qëndrueshëm bashkëpunimi institucional dhe qytetar, një administratë më të përgjegjshme dhe një frymë bashkimi që do të vazhdojë të japë fryte.

Faleminderit nga zemra komunitetit për besimin, komunikimin e hapur dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ju jeni arsyeja pse çdo ditë e kësaj detyre ka pasur kuptim dhe vlerë.

Në përmbyllje, me shumë respekt, i uroj zonjës Holta Duda suksese në detyrën e re.

Jam e bindur se me përkushtimin dhe profesionalizmin e saj, puna e mirë do të vijojë me të njëjtin ritëm e përgjegjësi ndaj qytetarëve, duke çuar përpara traditën pozitive të kësaj prefekture.

Me respekt dhe mirënjohje,

Majlo 🙏🏻

Lajme te tjera

error: Content is protected !!