Në Pukë shfaqet drama “DJALI” – një histori prekëse mbi dashurinë dhe përgjegjësinë njerëzore


Një mbrëmje e mbushur me emocione, reflektim dhe art të vërtetë u përjetua të shtunën në Pallatin e Kulturës “Ndue Shyti” në Pukë, ku u vu në skenë me sukses drama “DJALI” e autorit francez Florian Zeller.

Kjo vepër e fuqishme, që trajton me ndjeshmëri temat e prindërimit, fajit dhe brishtësisë emocionale njerëzore, u mirëprit ngrohtësisht nga publiku pukjan, i cili mbushi sallën dhe e shoqëroi shfaqjen me duartrokitje të gjata.

Në qendër të dramës është historia e Nicholas, një adoleshenti që përballet me trazirat shpirtërore pas ndarjes së prindërve, ndërsa përmes rrëfimit delikat, publiku përfshihet në një udhëtim të thellë mbi dashurinë, përgjegjësinë dhe komunikimin njerëzor.

Në role u shfaqën me interpretim të ndjerë aktorët e rinj Shandi Ismailaj, Xhilberto Gega, Melisa Manuka, Valentina Shehaj dhe Shpëtim Terolli, ndërsa regjia u realizua me finesë artistike nga Suela Prendi. Shfaqja u përgatit nën kujdesin e pedagogëve Mehmet Xhelili dhe Redjan Mulla, nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Artit Skenik.

Ky produksion u soll në Pukë në kuadër të një bashkëpunimi midis Bashkisë Pukë dhe Universitetit të Arteve, si pjesë e nismës për promovimin e artit dhe kulturës në zonat veriore të vendit.

Publiku përjetoi një shfaqje të mbushur me ndjesi të forta, duke e dëshmuar edhe një herë se arti mbetet ura më e bukur që lidh njerëzit me ndjenjat dhe mendimet më të thella njerëzore.


Lajme te tjera

error: Content is protected !!