Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka reaguar për ligjin “Për Barazinë Gjinore”, ku ka deklaruar se ligji në fjalë është në të njëjtën linjë me direktivat evropiane që rregullojnë jetën demokratike në vend.
Ligji, sipas ministres, synon të përforcojë parimin e trajtimit të barabartë dhe të harmonizojë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ju duhet të dini që çdo iniciativë ligjore kanë një detyrim ligjor që është bindje politike që ne kemi, të jemi në të njëjtën linjë me direktivat europiane që rregullojne jetën demokratike në vendet tona. E njëjta gjë ka ndodhur me ligjin në fjalë, i cili në fjalë ka qenë objekt i konsultimeve dhe unë do kisha një sugjerim personalisht per ju, para se të bëni pyetje, merreni lexojeni tekstin e ligjit e kështu do e kuptoni me mire cila është pjesa e dezinformimit që bëhet dhe cila është pjesa e realitetit ligjor e këtu është roli i rëndësishëm i mediave për të komunikuar, shpesh herë dëgjojmë diçka e nuk shkojmë deri në fund të vërtetës”, deklaroi ministrja.
Pyetur nëse ligji do bëhet pjesë e literaturës në shkolla, Kumbaro theksoi se programet shkollore kalojnë në proces diskutimesh të gjata e trajnimesh nga mësuesit.
Ajo theksoi se gjithçka kalon në filtra të rëndësishëm dhe në përputhje me direktivat europiane.
“Merreni lexojeni ligjin, të gjitha programet shkollore i kemi të botuara, ato kalojnë në një proces shumë të gjatë diskutimi dhe trajnimesh nga mësueset. Ndaj është e rëndësishme të komunikojmë mesazhin e duhur prindërve dhe klasave, mësuesve para se të hedhim shashka siç janë përpjekur aktorë të ndryshëm, më vjen keq se dezinformimi për shkak të teknologjisë zë vend më shumë se e vërteta. E vërteta është se çdo gjë kalon në filtra të rëndësishëm dhe dy me direktivat europiane, gjithçka është thënë është e pavërtetë “, sqaroi ministrja.
Nga ana e saj, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard ndërsa komentoi nga Korça këtë ligj të miratuar në Kuvend me 77 vota pro, theksoi se “Nuk ka një direktive, por është i gjithë korpusi ligjor dhe gjithë direktivat të cilat mbrojnë mosdiskriminim, mbrojnë vlerat njerëzore e nuk ka një direktivë të posaçme por janë gjithë vlerat e BE që e përfshijnë këtë, aty ku Shqipëria kërkon të anëtarësohet, trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve”.


