Fitorja ndaj Abel Pesut në Tiranë ka ngritur Nelson Hysën në nivele të paprecedenta për boksin shqiptar, duke e pozicionuar në vendin e 4 në botë në renditjen e WBA-së dhe në vendin e 7 në WBO. 41-vjeçari thotë se këto vlerësime janë rezultat i fitoreve ndaj “7 boksierëve të pamposhtur”, që kanë bindur federatat botërore për forcën e tij.
“Kam lënë pas tre ish-kampionë bote. Është emocionuese sepse kam boksuar dhe fituar ndaj 7 boksierëve të pamposhtur më parë. Federatat botërore më kanë renditur aty ku duhet, por unë dua të ngjitem edhe më lart,” – u shpreh Hysa.
Në renditjen e WBO-së, Hysa madje ka lënë pas edhe britanikun Anthony Joshua, një nga emrat më të mëdhenj të historisë së peshave të rënda. Në një intervistë për Report TV, ai zbulon se mes dy kampeve ka patur kontakte për një përballje të mundshme.
“Joshua është një legjendë. Stafet kanë komunikuar dhe kemi zhvilluar disa biseda me promocionin e tij. Aktualisht ai ka një ndeshje në SHBA, por shpresoj që jo shumë larg të bëjmë realitet një sfidë, sepse kam dëshirë të ndeshem me një emër kaq të madh,” – tha Hysa.
Ndërkohë, kampioni shqiptar ngre edhe një shqetësim që prej vitesh prek boksin në vend: abuzimin me titujt. Sipas tij, shumë boksierë shpallen kampionë bote pa qenë realisht të tillë në federatat zyrtare.
“Kemi dëgjuar për një 20 kampionë bote… Por mjafton të klikosh për të parë që nuk ekziston asnjë kampion bote shqiptar në 4 federatat kryesore. Të mos mashtrohet publiku. Është abuzuar për shumë vite me këta tituj dhe po dëmtohet imazhi i sportit,” – nënvizoi Hysa.
Në fund, ai njofton se në fund të dhjetorit, me rastin e festave të fundvitit, në Tiranë do të organizohet një eveniment i madh boksi, me sportistë elitarë dhe një show të pasur artistik, që synon të sjellë një natë të paharrueshme për sportin shqiptar.


