Notarët shkodranë shkëlqejnë në “Pavarësia 2025”

Notarët e Vllaznisë kanë shkëlqyer në aktivitetin kombëtar “Kupa Pavarësia 2025”, të organizuar nga Federata Shqiptare e Notit. Ekipi i “Shkodra Not”, përfaqësues zyrtar i klubit shkodran dhe i drejtuar nga trajneri Kolë Shiroka, u paraqit me një grup të gjerë sportistësh, të cilët konfirmuan formën e tyre të lartë në garat e këtij viti.

Ndër rezultatet më të rëndësishme, spikat arritja historike e talentit Joel Golemi, i cili theu rekordin kombëtar në garën e 400 metrave stil i lirë, për kategorinë C, 9–10 vjeç. Ai shënoi kohën e re 5:18.79, duke thyer një rekord që qëndronte prej nëntë vitesh.

Në klasifikimin ekipor, Vllaznia Femra u shpall ekipi i dytë më i mirë i aktivitetit.

Ndërsa sportistët Viki Tafrruku dhe Alessandro Hyso u vlerësuan me çmimet e dyta si sportistët më të mirë të kupës në kategoritë përkatëse.

Lidhur me rezultatet individuale, Vllaznia regjistroi tre kampionë të Shqipërisë.

Viki Tafrruku fitoi dy vende të para në 400 metra stil i lirë dhe 100 metra katërnotim, si dhe dy vende të dyta në 100 dhe 200 metra stil i lirë. Alessandro Hyso u shpall kampion në 50 metra shpinë dhe 50 metra stil i lirë, duke shtuar edhe dy vende të dyta në delfin e bretkosë.

 Ndërsa Vittoria Hyso triumfoi në tre gara: 50 metra stil i lirë, 100 dhe 200 metra shpinë dhe mori një vend të dytë në 50 metra shpinë.

Rezultate të mira u arritën edhe në stafetat e kategorisë OPEN, ku Vllaznia u rendit e dyta në 4×50 stil i lirë femra dhe 4×50 mix, me një përbërje të gjërë të sportistëve të rinj.

Aktiviteti “Kupa Pavarësia 2025” konfirmon edhe një herë punën profesionale dhe përkushtimin e trajnerit Kolë Shiroka, i cili prej vitesh formon breza të rinj notarësh, duke i çuar drejt titujve kombëtarë dhe rekordeve të reja.

Me rezultatet e arritura, Vllaznia vazhdon të mbetet një nga qendrat më të rëndësishme të zhvillimit të notit në Shqipëri.

Home » Sport » Notarët shkodranë shkëlqejnë në “Pavarësia 2025”

Lajme te tjera

error: Content is protected !!