SPAK thellon hetimet ndaj Flamur Nokës: dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre
Më shumë se një vit pas regjistrimit të procedimit penal, SPAK ka intensifikuar hetimet ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Flamur Noka, i cili dyshohet për fshehje pasurie, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Sipas burimeve, hetimet janë zgjeruar në dy pista kryesore: pasurinë e pashënuar, ku dyshohet se Noka ka fshehur një vilë në Gjirin e Lalzit, si dhe veprimtarinë e tij gjatë vitit 2008, kur ka qenë drejtor i Bordit të Entit Kombëtar të Banesave (EKB). Në atë periudhë, Noka dyshohet se ka favorizuar disa familjarë të afërt, duke u siguruar katër banesa nga fondi i të pastrehëve në Sarandë.
SPAK kërkon dokumentet zyrtare
Prapaskena raporton se SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Brendshme të gjithë praktikën e shpërndarjes së banesave gjatë kohës që Flamur Noka drejtonte bordin e EKB-së. Paralelisht, BKH po heton mënyrën se si vëllezërit, motra dhe kunata e Nokës kanë përfituar apartamente në Sarandë, si dhe rolin e deputetit në këto procedura. Në vijim, pritet të pyeten familjarët përfitues, anëtarët e bordit dhe drejtuesi i EKB-së në atë kohë.
Nga mjek onkolog në drejtues të EKB-së
Në vitin 2006, pas një specializimi në onkologji pranë QSUT, Flamur Noka emërohet nga Lulzim Basha — asokohe ministër i Brendshëm — anëtar i Këshillit Drejtues të Entit Kombëtar të Banesave. Në vitin 2009, Sokol Olldashi e shkarkon nga detyra për shkak të mandatit të tij si deputet.
Por vetëm një muaj pas largimit nga EKB, në nëntor 2009, Noka përfiton nga ky institucion një kredi prej 50 mijë eurosh me interes zero, si i pastrehë, me të cilën blen një apartament 83.7 m² në zonën e ish-Bllokut.
Tre vjet më pas, ai e shet këtë apartament për 180 mijë euro dhe, sipas të dhënave të përfituara nga hetuesit, me këtë shumë blen një apartament 260 m² dhe garazh tek Liqeni Artificial — një pasuri që realisht ka vlerë disa herë më të lartë se shuma e deklaruar. Nga këto transaksione, Nokës i kanë mbetur edhe 6,4 mijë euro tepër.
Përfitimet e familjarëve
Hetimi pasuror ka zbuluar se Noka nuk ka qenë i vetmi përfitues. Sipas dokumenteve zyrtare të EKB-së, 73 persona kanë përfituar banesa për të pastrehët në Sarandë, mes të cilëve edhe motra e deputetit, Lule Basha, si dhe vëllezërit e tij, Lulzim dhe Mevlan Noka. Po ashtu, mes përfituesve rezulton edhe shtetasja belge Luçinda Faket, bashkëshortja e njërit prej vëllezërve të deputetit.
SPAK dyshon se pozita e Nokës në krye të bordit të EKB-së është përdorur në mënyrë të paligjshme për favorizime të drejtpërdrejta familjare, çka pritet të jetë një nga pikat kyçe të hetimit.
Hetimet vijojnë në disa drejtime, ndërsa SPAK pritet të thërrasë në dëshmi një sërë personash të lidhur me procedurat e asaj periudhe.
https://prapaskena.com/2025/11/29/spak-intensifikon-hetimet-per-flamur-noken-administron-dosjen-e-ndarjes-se-banesave-te-shtetit-per-familjaret-e-tij-ne-sarande-skema-qe-perdori/


